Lidhje

Qeveria amerikane ndihmon një gazsjellës të rëndësishëm të rifillojë punë pas një sulmi kibernetik

Shtëpia e Bardhë po punon ngushtë me operatorin kryesor të gazsjellësit amerikan Colonial për ta ndihmuar të riparojë dëmet nga një sulm kibernetik që e detyroi kompaninë të mbyllte një rrjet kritik karburanti që furnizon shtetet e mëdha lindore të Amerikës.

Sulmi ishte pasojë e një prej skemave më dëmtuese dixhitale të njoftuara ndonjëherë dhe ka nxitur thirrjet e ligjvënësve amerikanë për të forcuar masat mbrojtëse për infrastrukturën kritike të energjisë amerikane nga goditjet kibernetike.

Sekretarja e Tregëtisë, Gina Raimondo tha se riparimi i gazsjellësit ishte përparësia kryesore për administratën e presidentit Joe Biden dhe se Uashingtoni po punon për të shmangur ndërprerje më të mëdha të furnizimit me karburant duke ndihmuar kompaninë Colonial që të rifillonte sa më shpejt punën në rrjetin e tubacionit mbi 8,850 km të gjatë nga Teksasi në Nju Xhërsi.

"Është një mobilizim i përgjithshëm", tha zonja Raimondo në një intervistë televizive. "Ne po punojmë ngushtë me kompaninë, zyrtarët shtetërorë dhe lokalë, për t'u siguruar që të rikthehen në funksionim normal sa më shpejt të jetë e mundur dhe të mos ketë ndërprerje në furnizim."

Colonial tha të dielën se linjat e saj kryesore të karburantit mbeten jofunksionale por disa linja më të vogla mes terminaleve dhe pikave të shpërndarjes kanë rifilluar punën. As zonja Raimondo, as kompania nuk dhanë një vlerësim për një datë të mundshme të rifillimit të plotë.

Çmimi i karburantit u rrit me mbi 3% duke shkuar në 2.217 dollarë për gallon, më i larti që nga maji i vitit 2018, një reagim i tregut ndaj mbylljes së gazsjellësit.

Colonial transporton afërsisht 2.5 milion fuçi në ditë karburant dhe lëndë djegëse të tjera nga rafineritë në zonën e Gjirit tek konsumatorët në zonën e mesme të Atlantikut dhe shtetet juglindore.

Rrjeti i gjerë i tubacioneve u shërben aeroporteve kryesore amerikane, përfshirë Aeroportin Hartsfield Jackson të Atlantës, më i ngarkuari në botë përsa i takon trafikut të udhëtarëve.

Ekspertët e karburanteve me pakicë, përfshirë Shoqatën Amerikane të Automjeteve thanë se një ndërprerje disaditore mund të ketë ndikim të ndjeshëm në furnizimet rajonale me karburant.

Hetimi i qeverisë amerikane është në fazat e hershme por një ish-zyrtar amerikan dhe tre burime brenda industrisë thanë se hakerat dyshohet të jenë një grup kriminal kibernetik i specializuar, i quajtur DarkSide.

DarkSide është një nga bandat e shumta kibernetike që u bën shantazh viktimave por nuk vë në shënjestër shtetet post-Sovjetike. Grupet fitojnë qasje në rrjetet private, përdorin programe për të inkriptuar të dhëna dhe shpesh edhe vjedhin të dhëna.

Ata kërkojnë dëmshpërblim për të deshifruar të dhënat dhe gjithnjë e më shpesh kërkojnë pagesa shtesë për të mos publikuar përmbajtjen që kanë vjedhur.

Në sulmin ndaj kompanisë Colonial, hakerat morën më shumë se 100 gigabajt të dhëna, sipas një burimi me njohuri për incidentin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG