Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi besimtarët myslimanë shqiptarë për Fitër Bajramin. “Kjo festë - tha ai në një mesazh, - kurorëzon sakrificën 30 ditore të muajit të Ramazanit, ku bëhen njësh përkushtimi dhe besimi, për një shoqëri të drehtë dhe solidare dhe ndihma ndaj të varfërve”. Ai uroi për sa më shumë mbarësi e begati
“Gjatë këtij muaji kam patur fatin të njoh shumë njerëz që agjëronin për herë të parë, të gjithë më kanë pohuar se ndienin një gjendje shpirtërore, morale e fizike të papërshkrueshme me fjalë” - tha zoti Spahiu.
Ai uroi shërim për të sëmurët, pranimin e lutjeve dhe faljen e mëkateve, më shumë paqe, begati në familjet shqiptare dhe në Shqipëri.
Zoti Spahiu tha se gjatë muajit të Ramazanit besimtari u shkëput nga përditshmëria materiale e muajve të tjerë, me dhuratat e festës ata gjenden përherë pranë të varfërve.
“Për më të varfërit dhe nevojtarët e shoqërisë tonë i lutemi Zotit t’u largojë barrën e rëndë dhe shtrëngimin që sjell skamja, dhe mbarësi për kombin tonë, rininë, mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe gjithsecilin që punon për sigurinë, mirëqenien dhe prosperitetin e Shqipërisë” - tha kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu.
Besimtarët muslimanë janë shumicë në shoqërinë shqiptare, ku janë të pranishme edhe fetë e tjera, kristiane, ortodokse e bektashi, ndërsa bashkëjetesa dhe harmonia shumëshekullore mes tyre është e mirënjohur dhe e vlerësuar në rajon e më gjerë.
Facebook Forum