Lidhje

Vendimi i DASH, Berisha: I keqardhur, s’ka asnjë bazë konkrete


Në një përgjigje të gjatë ndaj vendimit të njoftuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, ish kryeministri Sali Berisha shprehet “i keqardhur nga vendimi” të cilin ai e konsideron "pa asnjë bazë konkrete”. Përmes një postimi në Facebook, ai shkruan se “gjatë 30 viteve në politikë nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresën time, nga as një person, asnjë institucion vendas dhe i huaj për abuzim me fondet publike dhe çfarëdo lloj tjetër korrupsioni”. Ai shton gjithashtu se "gjatë të gjitha viteve të mia në pushtet, por dhe deri më sot, familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit. Ata deri më sot – vijon më tej zoti Berisha – nuk kanë qenë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër”.

Ish kryeministri ka ftuar autoritetet amerikane që “të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjarët e mi”.

Ndërsa kujton se prej 8 vitesh nuk është më në pushtet dhe ka dhënë dorëheqjen nga çdo funksion drejtues, zoti Berisha shprehet se ka denoncuar “më shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e drogës, lidhjet e tyre me zyrtaret më të lartë shqiptarë, por edhe të huaj, korrupsionin e papërmbajtur qeveritar në Shqipëri”.

Ish kryeministri duket se ngre qartazi dyshime se në vendiin ndaj tij mund të ketë ndikuar multimiliarderi George Soros, kur shkruan në përgjigjen e tij se “kam denoncuar në mediat shqiptare dhe të huaja, duke ditur shumë mirë pozicionin por edhe lidhjet e panumërta të tij, multimiliardierin George Soros, si korruptorin më kryesor të politikanëve të sotëm dhe në gjykimin tim, si një armik të vërtetë të demokracisë në vendin tim".

Zoti Berisha e mbyll reagimin e tij duke theksuar se “duhet t’ju garantoj se unë ndjehem krenar me të gjitha qëndrimet e mia dhe ju siguroj se ato kanë qenë dhe do të jenë të motivuara vetëm nga interesi publik dhe kombëtar i kombit shqiptar dhe e vërteta”.

Pak pas ish kryeministrit, reagoi dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai gjithashtu u shpreh i keqardhur dhe i doli në krah pararendësit të tij duke bërë “thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”. Sipas zotit Basha, “Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta”. Për kryetarin demokrat, akti i Sekretarit amerikan të Shtetit “nuk cënon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Vendimi i Departamentit amerikan të Shtetit, erdhi vetëm pak javë nga zgjedhjet e 25 Prillit. Zoti Berisha është në listën e deputetëve të ardhshëm të kësaj partie.

Para zgjedhjeve, ambasadorja amerikane Yuri Kim, duke ju referuar rastit të ish deputetit Tom Doshi, përsëriti disa herë se personat ndaj të cilëve qeveria amerikane ka marrë vendim për të mos ju lejuar hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara, nuk duhet të jenë pjesë e parlamentit. Zoti Doshi u tërhoq menjëherë pasi ai fitoi mandatin për deputet.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i zotit Berisha në këtë rast, duke qenë se mandati i deputetit është personal.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG