Lidhje

Udhëheqësit republikanë, kundër komisionit dypartiak për ngjarjet e 6 janarit


McConnell
McConnell

Udhëheqësit republikanë në Kongres po punojnë për të ndalur formimin e një komisioni të pavarur për sulmin e dhunshëm të 6 janarit ndaj Kapitolit amerikan, duke u radhitur përkrah ish-Presidentit Donald Trump përpara votimit në Dhomën e Përfaqësuesve mbi këtë propozim të mërkurën.

Kreu republikan i senatit Mitch McConnell tha të mërkurën në mëngjes se ai do të kundërshtojë projekt-ligjin për krijimin e komisionit, duke u bashkuar me udhëheqësin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, i cili njoftoi të martën se nuk do ta mbështesë propozimin. Të dy ligjvënësit thanë se projekt-ligji është partiak, edhe pse anëtarët e komisionit të propozuar do të ndaheshin në mënyrë të barabartë midis dy partive.

Kevin McCarthy
Kevin McCarthy

Njoftimi i senatorit McConnell, i cili erdhi vetëm një ditë pasi ai tha se ishte "i hapur" ndaj propozimit, është një goditje për demokratët të cilët thonë se një hetim i pavarur, dypartiak i sulmit të dhunshëm të 6 janarit është thelbësor për të shmangur përsërtijen e tij. Ndërsa legjislacioni pritet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve, do të jetë më e vështirë për Demokratët që të marrin mbështetjen 10 senatorëve republikanë për miratimin e tij në Senat, pa mbështetjen e zotit McConnell.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit, demokrati Chuck Schumer, ka thënë se do ta hedh në votim në Senat projekt-ligjin pas miratimit të tij nga Dhoma e Përfaqësuesve. Ai akuzoi republikanët po u "nënshtrohen" presionit të zotit Trump, i cili inkurajoi mbështetësit e tij të marshonin drejt Kapitoli më 6 Jan për të ndaluar numërimin e votave elektorale dhe për të përmbysur humbjen e tij ndaj demokratit Joe Biden.

Chuck Schumer
Chuck Schumer

Schumer tha se republikanët po përpiqen të "sabotojnë komisionin" dhe janë "të ndikuar" nga pretendimi i pabazë i zotit Trump për manipulim të zgjedhjeve. Ai pohim i rremë, i përsëritur nga turma ndërsa protestuesit hynë në Kapitol, është hedhur poshtë nga gjykata të shumta, zyrtarë dypartiak të zgjedhjeve në të gjithë vendin dhe Prokurori i Përgjithshëm i emëruar nga zoti Trump.

Ish-presidenti Trump lëshoi një deklaratë të martën në mbrëmje duke kërkuar që republikanët të kundërshtojnë komisionin. Ai e quajti atë një "kurth të demokratëve".

Kundërshtimi i ligjvënësve McConnell dhe McCarthy vjen ndërsa disa anëtarë të partisë republikane po minimizojnë gjithnjë e më shumë dhunën e 6 janarit, kur protestuesit rrahën brutalisht policinë, hynë me dhunë në Kapitol dhe u përpoqën të hynin në sallën ku po zhvillohej seanca për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Katër nga protestuesit vdiqën, duke përfshirë një grua që u qëllua dhe u vra nga policia ndërsa u përpoq të hynte në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve. Një oficer i Policisë së Kapitolit i cili i përballë me protestuesit, vdiq më vonë në spital dhe dy oficerë të tjerë policie u vetëvranë disa ditë më vonë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG