Lidhje

Bjellorusia detyron uljen e avionit me gazetarin disident


Do të ketë implikime serioze për “veprimin misterioz” që ndërmori Presidenti Alexander Lukashenko i Bjellorusisë duke urdhëruar uljen e një aeroplani sot (të dielën) në Minks, ku një aktivist i opozitës që gjendej në bordin e aeroplanit u arrestua, tha ministri i jashtëm britanik.

“Mbretëria e Bashkuar është e alarmuar nga njoftimet për arrestimin e gazetarit të televizionit NEXTA Live, Roman Protasevich dhe rrethanat që çuan në uljen e detyruar të avionit në Minsk”, shkroi në Twitter zoti Dominic Raab, duke shtuar se Londra po koordinonte veprimet me vendet aleate.

Një gazetar bjellorus i kërkuar nga qeveria e Alexader Lukashenkos u arrestuar pasi avioni me të cilin ai po udhëtonte bëri një ulje të paplanifikuar në Minsk të dielën (23maj) pas asaj që duket se ishte një kërcënim i rremë për bombë.

Raman Pratasevich u mor nga policia menjëherë pasi avioni i linjës ajrore Ryanair u ul në kryeqytetin bjellorus. Avioni po udhëtonte nga Athina drejt Vilnusit të Lituanisë. Në bordin e avionit nuk u gjet asnjë bombë, njoftoi media bjelloruse.

Kryeminsitri Kyriakos Mitsotakis tha të dielën se veprimi i Bjellorusisë ishte “i pashembullt dhe tronditës”, duke shkruajtur në rrjetin Twitter se, “Ky akt që vuri në rrezik jetët e pasagjerëve është i papranueshëm. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë pasagjerëve... Mjaft më”.

Ministria e Jashtme e Greqisë e cilësoi veprimin “rrëmbim shtetëror”. Avioni kishte në bord 171 pasagjerë, 11 prej të cilëve shtetas grekë.

Selia e udhëheqëses së opozitës bjelloruse Svaitlana Tsikhanouskaya njoftoi se ekuipazhi i avionit mori një mesazh për bombë në bord dhe se një avion luftarak i tipit MiG-29 u dërgua për të shoqëruar avionin me pasagjerë drejt aeroportit në Minsk. Zyra e zonjës Tsikhanouskaya tha se avioni me pasagjerë ishte pranë kufirit me Lituaninë kur mori mesazhin.

Presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda tha se ishte një “ngjarje e pazakontë” që një avion civil pasagjerësh që fluturonte drejt Vilnusit të ulej në Minsk i detyruar me forcë. “Flamuri i regjimit bjellorus është pas këtij veprimi të neveritshëm. Unë kërkoj urgjentisht lirimin e Roman Protasevich-it” shkruajti në rrjetin Twitter zoti Nauseda.

Gazetari Protasevich ishte një administrator i rëndësishëm i kanalit Telegram NEXTA Live, i cili ka mbuluar protestat që shpërthyen në Bjellorusi pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale gushtin e kaluar.

Në nëntor, autoritetet bjelloruse njoftuan se Pratasevich dhe Stsyapan Putsila, po ashtu administrator i kanalit , po hetoheshin nën dyshimet për organizimin e trazirave masive, prishjen e rendit dhe nxitjen e urrejtjes.

Bjellorusia është tronditur nga protestat që kur Lukashenko, i cili mban pushtetin që nga viti 1994, u shpall fitues me shumicë votash, pavarësisht akuzave për manipulime të zgjedhjeve presidenciale. Që nga ajo kohë, më shumë se 30 mijë njerëz janë arrestuar, qindra janë rrahur apo torturuar dhe gazetarët janë vënë në shënjetër të shtypjes nga qeveria e Lukashekos, ndaj së cilës Perendimi ka vendosur sanksione.

(( RFE/RL's Belarus Service ))

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG