Lidhje

Kryetarja e parë grua e Dhomës së Përfaqësuesve, Pelosi e njihte politikën që në moshë të re


US Speaker of the House Nancy Pelosi speaks during a new conference with House Democrats and the Congressional Asian Pacific American Caucus on the "Covid-19 Hate Crimes Act" on Capitol Hill in Washington, May 18, 2021.
Kryetarja e parë grua e Dhomës së Përfaqësuesve, Pelosi e njihte politikën që në moshë të re
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:06 0:00

Për shumë vite, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ishte gruaja me pozitën më të lartë në historinë e qeverisë amerikane, para se Kamala Harris të zgjidhej Nënpresidente nëntorin e kaluar. Ajo ka qenë objekt i kritikave të vazhdueshme republikane dhe e ka çimentuar vendin e saj në histori duke udhëhequr ligjvënësit demokratë, shpesh të përçarë, nën katër presidentë të Shteteve të Bashkuara.

Gruaja e parë që ka shërbyer në postin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësja nga Kalifornia Nancy Pelosi ka patur një karrierë historike 34-vjeçare në Kongres. Ajo u zgjodh dy herë nga kolegët e saj demokratë në postin më të lartë, atë të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, në vitet 2007 dhe 2019.

"Ajo që e bën atë të fuqishme është fakti se anëtarët e grupit të ligjvënësve që ajo drejton e shohin atë si një udhëheqëse të zgjuar dhe strategjike, e cila mund të analizojë publikun dhe Kongresin dhe të gjejë një mënyrë për të çuar përpara politikat dhe çështjet e ndryshme", thotë Lara Brown nga Universiteti George Washington.

E lindur me emrin Nancy D’Alesandro, ajo ishte vajza e një ligjvënësi demokrat nga Merilendi dhe u njoh me politikën që në moshë të vogël. Pasi u martua me zotin Paul Pelosi dhe rriti pesë fëmijë, ajo fitoi zgjedhjet speciale për anëtare Kongresi në San Francisko, një nga distriktet më liberale në Shtetet e Bashkuara.

"Është e rëndisishme ajo që mund të bëni, jo vetëm ajo që keni bërë", thotë zonja Pelosi.

Gjatë mandatit të saj të parë si Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve në periudhën 2007-2011, Pelosi u rezistoi thirrjeve të demokratëve për të ngritur akuza për shkarkimin e Presidentin George W. Bush lidhur me vendimin e tij për të filluar luftën në Irak dhe udhëhoqi seancën në të cilën u miratua ligji historik i kujdesit shëndetësor i Presidentit Obama.

"Miratoni reformën e sigurimit shëndetësor për të gjithë amerikanët, kjo është e drejtë, jo privilegj!", tha ajo.

Një figurë ndërkombëtare që takohet rregullisht me udhëheqësit botërorë, Pelosi u bë edhe më e spikatur gjatë kthimit së saj në postin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve gjatë presidencës së republikanit Donald Trump, duke gjetur mënyra për të bllokuar nismat republikane.

"Dy vitet e fundit që ai ishte President, ndihmuan në një farë mënyre për të kundërshtuar dhe bllokuar disa nga objektivat e mëdha legjislative të republikanëve, si ndërtimi një muri (në kuifirimi SHBA-Meksikë), dhe nismat e mbajtjes së imigrantëve jashtë Shteteve të Bashkuara. Kështu që ajo luajti një rol vendimtar në kundërshtimin e politikave të tij dhe në fitoret strategjike ndaj tij”, thotë Lara Brown nga Universiteti George Washington.

Pelosi udhëhoqi gjithashtu dy votime të paprecedentë të Dhomës për të ngritur akuza për shkarkimin e Presidentit Trump.

"Presidenti mendon se ai është mbi ligjin", tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në atë kohë.

Së pari në vitin 2019 dhe përsëri në 2021, kur u vu në rrezik siguria e saj dhe e ligjvënësve gjatë sulmit të 6 janarit në Kapitol nga mbështetësit e zotit Trump.

Tani, 81-vjeçarja Pelosi ka premtuar se nuk do të kërkojë një mandat tjetër të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve pas vitit 2023, dhepërgatitet ta dorëzojë kontrollin e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve tek një brez i ri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG