Lidhje

Rritja e antisemitizmit në Shtetet e Bashkuara


Rritja e antisemitizmit në Shtetet e Bashkuara
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

Incidentet antisemite janë në rritje në të gjithë botën dhe veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, sipas Lidhjes Anti-Shpifje. Grupi thotë se 2019 ishte viti më i keq për incidentet antisemite të regjistruara në Shtetet e Bashkuara, dhe madje edhe gjatë bllokimeve si rezultat i pandemisë, viti 2020 shënoi raste të shumta.

Një natë prilli një burrë mund të shihet në kamerat e sigurisë duke thyer dritaret në sinagogën Young Israel në Riverdale, një lagje në qytetin e Nju Jorkut ku jeton një popullsi e madhe hebraike. Ai vandalizoi disa sinagoga të tjera në zonë, përfshirë edhe Qendrën Hebraike në Riverdale.

Jonathan Bornstein, anëtar dhe roje sigurie në sinagogë, foli me Zërin e Amerikës për sulmet.

"Fakti që ai e bënte hapur dhe nuk shqetësohej nëse e shihte dikush, do të thotë se ai mund të ishte i rrezikshëm."

I dyshuari sulmoi ndërtesën tre herë brenda më pak se një jave, dukeqëlluar dritaret me gurë – dhe në një rast u fut në hollin e ndërtesës.Joshua Schlenger është anëtar i komitetit drejtues në Qendrën Hebraike Riverdale.

“Sulmet kundër shumë vendeve të shenjta të komunitetin tonë janë sulme kundër hebrenjve dhe institucioneve hebraike.”

Incidentet e armiqësisë dhe paragjykimeve ndaj hebrenjve amerikanë nuk janë të izoluara. Sipas raportit vjetor të Lidhjes Anti-Shpifje, gjatë vitit të kaluar incidente të tilla ndodhën në 47 nga 50 shtetet amerikane.

"Antisemitizmi është urrejtja më e vjetër në botë dhe do të ekzistojë gjithmonë në një farë forme”, thotë Joshua Schlenger në Qendrën Hebraike në Riverdale.

Organizata shënoi 2,100 incidente kundër hebrenjve në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2019, numri më i lartë i regjistruar që kur organizata filloi dokumentimin e ngjarjeve të tilla në vitet 1970. Viti 2020 zuri vendin e tretë për nga sulmet. Scott Richman drejton Lidhjen Anti-Shpifje për shtetet Nju Jork dhe Nju Xhersi.

"Shoqëria po kalon një periudhë përçarjeje, polarizimi dhe një periudhë ku njerëzit kërkojnë të gjejnë një fajtor ndërsa në shoqëri ka shumë pasiguri ."

Gjatë pandemisë, retorika e urrejtjes u zhvendos në internet. Sondazhi i Lidhjes Anti-Shpifje për urrejtjen dhe ngacmimet tregon se 41% e të anketuarve dhe 36% e hebrenjve thonë se ishin ngacmuar në internet gjatë vitit të kaluar. Këtu përfshihen edhe sulmet antisemite gjatë video-konferencave.

“Media sociale është një nxitës shumë i madh i urrejtjes. U jep njerëzve mundësinë për të dërguar mesazhin e tyre, u jep hapësirë për t'u përfshirë në urrejtje ", thotë Scott Richman.

Facebook dhe Twitter heqin postime të tilla dhe i ndalojnë individët të përhapin gjuhën e urrejtjes dhe mashtrimit. Megjithatë, viti 2021 me sa duket do të thyejë rekordin e vitit 2019 për incidente antisemite.

"Shqetësimi im është se gjithë urrejtja në platforma të ndryshme në internet do të na shoqërojë ndësa vendi hapet. Ne do të shkojmë tek nivelet para pandemisë”, thotë zoti Richman.

Në fillim të majit policia e arrestoi të dyshuarin 29-vjeçar Jordan Burnette. Ai përballet me 42 akuza, me shumicën e tyre të cilësuara si krime urrejtjeje. Ai është i liruar me kusht në pritje të gjykimit, duke shkaktuar shqetësime tek disa.

“Kemi shqetësime rreth tij, shqetësime rreth procesit gjyqësor që e lejoi atë të jetë i lirë”, thotë Jonathan Bornstein me Qendrën Hebraike në Riverdale.

Një anketë e kohëve të fundit nga Lidhja Anti-Shpifje gjeti se 11% e pjesëmarrësve kishin mendime antisemite. Ekspertët thonë se arsimi është çelësi për ndryshim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG