Lidhje

Tiranë: Vazhdon shqyrtimi i ankesave të opozitës për zgjedhjet, me rinumërime të votave


Në Tiranë, Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion SPAK i kërkoi sot policisë së shtetit që të gjejë dhe të arrestojë kandidatin për deputet të LSI-së në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, Etjon Joka, tashmë në arrati, pas publikimit të filmimeve, ku ai mendohet se është duke blerë vota.

Apeli i Gjykatës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, refuzoi kërkesën e Jokës për heqjen e masës paraprake “arrest me burg”, ndërkohë që ai vazhdon të jetë në kërkim nga forcat e rendit.

Tiranë, vijon shqyrtimi i ankesave të opozitës për zgjedhjet e 25 prillit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Kandidati i LSI-së, Joka, ka mohuar përmes rrjeteve sociale se ka blerë vota më 25 prill, duke folur për manipulim të asaj videoje të publikuar, si dhe për ndjekjen e kësaj çështjeje në rrugë ligjore.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bëri të ditur sot përmes rrjeteve sociale se pas pretendimeve nga partitë politike për shkelje ligjore në zgjedhjet e 25 prillit, SPAK dhe 5 prokurori të Tiranë, Gjirokastër, Pukë, Vlorë & Elbasan kanë sjellë në KQZ 10 kërkesa për informacion dhe 2 vendime për sekuestruar materialet zgjedhore.

Policia e Tiranës ka kërkuar pamje filmike të procesit të numërimit, ndërsa institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për falsifikim të materialeve dhe rezultateve zgjedhore, për pengim të subjekteve zgjedhore, për votim pa identifikim më shumë se një here, për shkeljen e fshehtësisë së votimit, për korrupsionin aktiv në zgjedhje, kërcënim e dhunim të votuesve, si dhe përdorim i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit.

Zoti Celibashi theksoi se KQZ vet do të dorëzojë në prokurori të gjitha rastet e dyshimta të shkeljeve zgjedhore, pasi të shqyrtohet ankimet administrative për zgjedhjet.

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve pranë KQZ-së nisi sot rinumërimin e votave në 108 kuti të Qarkut të Durrësit, pas kërkesave të LSI-së dhe PD-së, që dyshojnë për shkelje dhe abuzime me zgjedhjet.

Opozita synon të vërtetojë me këto rikontrolle të kutive edhe dyshimet e saj për manipulim votash edhe marrjen e një mandati nga socialistët, ndërsa rezultatet janë të ngushta.

KAS rinumëroi edhe 114 kuti në Qarkun e Beratit, ku nuk u gjetën shkelje dhe as diferenca të pasakta votash, që mund të zhvendosnin një mandat nga qeveria te opozita, meqenëse rezultati midis tyre ishte shumë i ngushtë.

PD kërkoi mosnjohjen e rezultateve dhe përsëritjen e zgjedhjeve në 9 nga 12 qarqe, ndërsa LSI kërkoi rinumërim në 5 qarqe.

KAS rrëzoi kërkesat e tyre për përsëritjen e zgjedhjeve në qarqet e Beratit, Gjirokastrës, Vlorës, Durrësit dhe Shkodrës, po opozita këto i quajti këto vendime me sfond politik dhe iu drejtua Kolegjit Zgjedhor.

Edhe KAS edhe Kolegji Zgjedhor po shqyrtojnë serinë e ankesave të opozitës, ndërsa ka kaluar një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve dhe ende dihen vetëm rezultatet parapraje, sipas të cilave PS fitoi 74 nga 140 mandate parlamentare, PD fitoi 59, LSI 4 dhe PSD 3 mandate.

Nga kjo distancë 4 javore pas datës së zgjedhjeve, pritet vetëm raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për to dhe qëndrimi i opozitës ndaj parlamentit të ri, që mblidhet në shtator.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG