Lidhje

SHBA, sektori privat mobilizohet për të stabilizuar Amerikën Qendrore


Dymbëdhjetë kompani e grupe private, ndër to Microsoft, Mastercard dhe Nestle's Nespresso u zotuan të enjten të investojnë në Amerikën Qendrore. Zotimi është fitore për Nënpresidenten Kamala Harris në përpjekjet e saj për të luftuar problemet që ushqejnë largimin e popullatës nga zona drejt SHBA.

Presidenti Joe Biden i ka kërkuar zonjës Harris të udhëheqë nismat e qeverisë amerikane për të bashkërendur përpjekjet me Meksinën dhe vendet e Amerikës Qendrore: Hondura, El Salvador dhe Guatemalë. Nënpresidentja Harris ka marrë një numër hapash për të sjellë përmirësim kushtesh me shpresën se kjo do të ulte shtysën për imigracion.

Zonja Harris, e cila u takua me zyrtarë nga këto vende të enjten, tha se mundësitë ekonomike në rajon mund të shtohen përmes bashkëpunimit me sektorin privat.

"Në mënyrë që ne si administratë të rrisim potencialin e punës sonë për sukses, duhet të bashkëpunoojmë me sektorin privat,” tha zonja Harris në komentet për shtyp në hapje të takimit.

Në takim, kompanitë ofruan zotime për angazhim. Microsofti tha se do të zgjeronte qasjen në internet për 3 milionë vetë në rajon brenda korrikut të vitit 2022. Kompania Nespresso njoftoi planet për të blerë kafe nga El Salvadori dhe Hondurasi, duke investuar deri në vitin 2025 150 milionë dollarë, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Kompania ushqimore Chobani ka premtuar të hapë në Guatemalë një program për mbështetjen e nismave sipërmarrëse, ndërsa firma financiare Mastercard premton të ndihmojë 5 milionë banorë të rajonit të kenë qasje në sistemin financiar, si dhe t’u ofrojë kredi të vogla 1 milion kompanive dhe t’u mundësojë qasje në aktivitet bankar në formë dixhitale.

Nënpresidentja Harris është përqëndruar në pesë fusha për rritje ekonomike: zgjerimi i qasjes në internet, nisma në përgjigje të mungesave ushqimore duke rritur produktivitetin bujqësor, përpjekje për të luftuar ndryshimet klimatike dhe mbështetje për tranzicionin në energji të gjelbër, si dhe programe për të kualifikuar krahun e punës si dhe për të zgjeruar qasjen në sistemet shëndetësore.

Në muajin prill zonja Harris prezantoi një program prej 310 milionë dollarësh për të ndihmuar Amerikën Qendrore. Ajo pritet të vizitojë Guatemalën dhe Meksikën më 7 dhe 8 qershor, në udhëtimin e saj të parë jashtë vendit në rolin e nënpresidentes.

Zyrtarët amerikanë thonë se korrupsioni është një ndër faktorët kryesorë që ushqejnë migracionin masiv nga rajoni. Ndër faktorë të tjerë janë dhuna e bandave si dhe katastrofat natyrore që pengojnë investimet nga kompani të fuqishme në këto vende.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG