Lidhje

Zëri i Amerikës hap rishikim mbi ankesat për plagjiaturë


Zëri i Amerikës konfirmoi të premten se brenda kësaj agjencie ka pasur raste plagjiature dhe se është hapur një analizë e brendshme mbi mënyrën si trajtohen ankesat për shkelje.

Rishikimi i praktikave u njoftua një ditë pasi gazeta Washington Post raportoi se dy ish-punonjës në Divizionin për Afrikën në Zërin e Amerikës kishin ngritur ankesa për plagjiaturë dhe paragjykim redaksional tek shefat dhe tek redaktori mbi standardet brenda agjencisë, duke shtuar se ankesat nuk ishin hetuar në kohën e duhur.

Autorët e ankesës ngrenë pretendimin për plagjaturë nga një gazetar i pavarur dhe përmendin edhe një rast tjetër për një producent për emisionin Our Voices – Zëra Tanë, që kopjonte pasazhe të autorëve të tjerë për disa pjesë të emisionit.

Zëri i Amerikës nuk i ka identifikuar me emër personat e përfshirë në ankesa.

Në një email drejtuar stafit të premten, drejtoresha në detyrë e Zërit të Amerikës, Yolanda Lopez shprehu keqardhje për "incidentet e përmendura kohët e fundit".

"Po zhvillohet një rishikim i brendshëm për të analizuar trajtimin e kësaj çështjeje dhe për të garantuar që çdo incident i ardhshëm do të trajtohet menjëherë dhe në mënyrën e duhur," tha zonja Lopez, duke shtuar se Zëri i Amerikës është i përkushtuar për të siguruar që nuk ka plagjiaturë dhe që çdo pretendim për shkelje të tilla në të ardhmen " trajtohet në mënyrë të shpejtë dhe të duhur".

Emaili dërguar stafit përfshinte një kopje të rishikuar të politikës së Zërit të Amerikës mbi plagjiaturën.

Në rastin që lidhet me gazetarin e pavarur, dy artikuj në faqen në internet në gjuhën angleze u përditësuan këtë javë për të përfshirë një shënim të një redaktori që paralajmëronte lexuesit se një variant i mëparshëm përmbante materiale për të cilat Zëri i Amerikës ka arritur në përfundimin se ishte plagjiaturë.

Ankesat u ngritën nga Jason Patinkin, në atë kohë gazetar në shërbimin anglisht për kontinentin afrikan në Zërin e Amerikës dhe Ayen Bior, një ndër prezantueset e emisionit Our Voices -Zërat Tanë, e cila u largua nga Zëri i Amerikës vitin e kaluar për të punuar në rrjetin radiofonik NPR.

Zoti Patinkin tha në një intervistë të publikuar se ai dha dorëheqjen nga Zëri i Amerikës për shkak se nuk ishte dakord me trajtimin e ankesave që kishte ngritur se Zëri i Amerikës po tregonte preferencë ndaj qëndrimit qeveritar në Etiopi gjatë mbulimit të konfliktit në rajonin Tigrej.

Seksioni Briri i Afrikës në Zërin e Amerikëstransmeton për një audiencë prej rreth 12 milionë vetësh çdo javë në gjuhët amharike, oromo dhe tigrine.

Steven Springer, redaktori i Zërit të Amerikës për standardet dhe praktikat gazetareske, tha se agjencia kishte ndërmarrë veprime në lidhje me akuzat për plagjiaturë dhe se raste të tilla janë të rralla.

"Fakti që të dyja këto incidente u mblodhën së bashku, mund ta bëjë të duket si ortek," tha zoti Springer, duke shtuar se në gati 11 vjet në atë post, ai "ka trajtuar më pak se 10 raste të mundshme".

Ish-punonjësit e Zërit të Amerikës të përmendur në artikullin e Washington Postit thanë se kishte pasur vonesa në reagimin e menaxherëve të Zërit të Amerikës në trajtimin e situatës ose ndërmarrjen e masave.

Zoti Springer tha se ai i bën rekomandimet e tij sa më shpejt të jetë e mundur pas hetimit të akuzave dhe u raporton shefave të sektorëve të ndikuar nga këto akuza. Por ai mund të bëjë vetëm rekomandime për masat pasuese.

"Në rastin e programit Our Voices – Zërat Tanë, besoj se veprova me shpejtësi. Më duket se veprova brenda disa ditësh," tha zoti Springer. "Ishte një shembull që kur e pashë ...reragova menjëherë: 'E shoh qartë se çfarë kam përpara’.Dhe e raportova tek shefat".

Rekomandimi i tij ishte që tekstet e veçuara në ankesë ishin plagjiaturë dhe se shefat duhet ta diskutonin çështjen me ata që kishin kryer shkeljet.

Por sipas Washington Postit, teksti i parë i paraqitur nga zonja Bior në shkurt 2020 mbeti i publikuar në internet deri më 25 maj.

Zoti Springer konfirmoi se tre episode të emisionit Zërat Tanë në dhjetor 2018 dhe qershor e korrik 2019 u hoqën nga faqja e internetit e Zërit të Amerikës këtë javë. Në vend të tyre shfaqet një mesazh që shpjegon arsyen e heqjes së tyre.

Deklarata e drejtoreshës në detyrë nuk ofronte hollësi në lidhje me incidentet, por thoshte se rishikimi i brendshëm do të analizojë se si u trajtuan ato.

Në rastin e gazetarit të pavarur, zoti Springer tha se ai më parë i kishte rekomanduar shefit që mbikqyrte punën e gazetarit që të mos e përdorte më për raportime për radio, pasi "përgjigjet e tij nuk ishin domosdoshmërisht të bazuara në raportimin e tij. Ato ishin të bazuara në informacion që ai e kishte gjetur diku tjetër”.

Pas kësaj, u ngritën ankesa më vonë në lidhje me plagjiaturë nga gazetari i pavarur për artikuj të publikuar në internet.

Një analizë e teksteve të shkruara nga gazetari zbuloi dy rasteve plagjiature. Gazetari i pavarur nuk bashkëpunon më me shërbimet e Zërit të Amerikës.

Kelly McBride, nënpresidente në Institutin Poynter, tha se ka rëndësi të ndiqen politika transparente në trajtimin e akuzave për plagjiaturë.

"Në shumicën e rasteve, plagjiatura dëmton gazetarët. Nuk dëmton audiencën në të shumtën e kohës, duke supozuar se informacioni është i saktë dhe gjithashtu nuk është fabrikuar," tha McBride. "Por në shumicën e rasteve, ju mund ta ndreqni problemin duke shtuar atributin e duhur mbi autorin dhe lidhjet me materialin origjinal. Gjithashtu, incidente të tilla janë të turpshme për organizatën mediatike."

"Këto rekomandime zgjidhin shumicën e problemeve pas botimit të materialit të siguruar përmes plagjiaturës. Por ende kërkon zgjidhje problemi me individin" tha ajo, duke shtuar se "një farë mase disiplinore është e nevojshme për të përcjellë mesazhin që plagjiatura është shkelje”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG