Lidhje

Kryeministri britanik Boris Johnson martohet në një ceremoni surprizë


Kryeministri britanik Boris Johnson u martua të shtunën me të fejuarën e tij Carrie Symonds në Katedralen Westminster, në fund të një jave dramatike politike me një ceremoni martese të mbajtur aq të fshehtë, saqë zyra e tij nuk e konfirmoi deri një ditë më pas të dielën.

Martesa nuk ishte njoftuar paraprakisht dhe media tha të shtunën në mbrëmje se të ftuarit ishin thirrur minutën e fundit në katedralen Katolike në Londrën qendrore, duke shtuar se as ndihmësit e afërt të zotit Johnson nuk ishin në dijeni të planeve të dasmës.

"Kryeministri dhe zonja Symonds u martuan dje pasdite në një ceremoni të vogël në katedralen Westminster," tha zyra e zotit Johnson të dielën. "Çifti do të festojë martesën me familjen dhe miqtë verën e ardhshme."

56 vjeçari Johnson dhe 33 vjeçarja Symonds, kanë jetuar së bashku në Downing Street që kur zoti Johnson u bë kryeministër në 2019. Ata njoftuan vitin e kaluar se ishin fejuar dhe djali i tyre, Wilfred Lawrie Nicholas Johnson, lindi në prill të vitit 2020.

Kryeministri konservator u përball këtë javë me kritika të ashpra rreth trajtimit të pandemisë COVID-19 ana e tij, pasi ish-këshilltari kryesor i tij Dominic Cummings i tha një komisioni parlamentar të mërkurën se dështimet e tij kishin shkaktuar mijëra vdekje të panevojshme.

Johnson hodhi poshtë akuzat, duke thënë të enjten se "disa nga komentet" nuk kishin asnjë lidhje me realitetin. Ai tha se qeveria kishte bërë maksimumin për të ndjekur të dhënat dhe udhëzimet e nevojshme për frenimin e pandemisë.

Buzëqeshje dhe lule

Një foto martese e lëshuar nga zyra e kryeministrit tregonte çiftin duke buzëqeshur në kopshtin e rezidencës së kryeministrit 10 Downing Street pas ceremonisë.

Symonds kishte veshur një fustan të bardhë të gjatë dhe mbante një kurorë me lule të bardha në flokë ndërsa zoti Johnson kishte veshur një kostum të errët, kravatë blu dhe një lule në jakën e xhaketës.

Ceremonia duhej të ishte e vogël: dasmat në Britani aktualisht janë të kufizuara në 30 persona për shkak të kufizimeve të COVID-19.

Raportet e medias thanë se katedralja u mbyll papritmas në orën 1:30 pasdite të shtunën dhe zonja Symonds arriti 30 minuta më vonë në një limo.

Në fillim të këtij muaji, gazeta The Sun kishte raportuar se ftesat e dasmës u ishin dërguar miqve dhe familjes për në korrik 2022.

Johnson ka një jetë private të komplikuar.

Ai një herë u shkarkua nga ekipi politik i Partisë Konservatore kur kjo parti ishte në opozitë pasi kishte gënjyer për një marrëdhënie jashtëmartesore. Ai është divorcuar dy herë dhe nuk pranon të tregojë se sa fëmijë ka.

Martesa e fundit e zotit Johnson ishte me avokaten Marina Wheeler. Ata kanë katër fëmijë së bashku dhe në shtator 2018 njoftuan se ishin ndarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG