Lidhje

Rast i rrallë shpallja fajtor e ish-oficerit të policisë Chauvin


Shpallja fajtor e ish-oficerit të policisë Derek Chauvin për vdekjen e George Flloyd-it, shënon një rast të rrallë dënimi të një oficeri policie për veprime të kryera gjatë ushtrimit të detyrës. Disa ekspertë ligjorë thonë se rasti mund të shënojë një ndryshim në mënyrën se si gjykatat dhe prokurorët trajtojnë rastet e akuzave për shkelje nga policia.

Rast i rrallë shpallja fajtor e ish-oficerit të policisë Chauvin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:29 0:00

Gëzim dhe lehtësim në rrugët e Mineapolisit, ku vdiq George Floyd vitin e kaluar. Juria gjyqësore vendosi se zoti Floyd, një afrikano-amerikan, vdiq nga ushtrimi i tepruar i forcës në duart e ish-oficerit të policisë Derek Chauvin, i cili u gjend fajtor të martën për vrasje të shkallës së dytë, për vrasje të shkallës së tretë dhe për vrasje pa paramendim. Filmimi i ngjarjes vdekjeprurëse shkaktoi protesta në mbarë botën.

“Kaq shumë njerëz panë çfarë ndodhi dhe mendoj se kemi dëgjuar qartazi zërin e komuniteteve afrikano-amerikane për natyrën e aktivitetit policor në Shtetet e Bashkuara. Mendoj se të gjitha këto së bashku rezultuan në këtë vendim”, thotë Barry Friedman, i projektit për policinë në Universitetin e Nju Jorkut.

Evidenca ishte më se bindëse, thotë një profesore e jurisprudencës.

“Qartazi, nuk është kjo për çfarë është trajnuar të bëjë policia. Dhe u filmua. Është shumë e pazakontë të gjendet dikush fajtor dhe të dënohet për vrasje”, thotë Josephine Ross, profesore e juridikut në Universitetin Howard.

Në një rast të ngjashëm të 2015-tës, një oficer i bardhë shikohet në video duke shtënë në kurrizin e afrikano-amerikanit Walter Scott. Ish-oficeri nuk u dënua për vrasje pasi juria nuk arriti të merrte vendim.

Por, më vonë ai u dënua me 20 vjet burg pasi pranoi të kishte shkelur të drejtat civile të zotit Scott.

Një faktor për mungesën e dënimeve është se prokurorët shpesh kanë një marrëdhënie të ngushtë pune me policinë, thotë analistja ligjore Michele Goodwin.

“Prokurorët mund të ngurrojnë të ngrenë akuza ndaj oficerëve të policisë, ose mund të mos veprojnë me të njëjtin zell në këto procese gjyqësore. Duhet të keni parasysh se për gjyqin e Derek Chauvin-it nuk u veprua siç bëjnë zakonisht prokurorët lokalë. Rasti iu kalua prokurorisë së përgjithshme (të shtetit Minesota)”, thotë zonja Goodwin.

Një tjetër dallim në rastin e George Floyd-it ishte se ra i ashtuquajturi “muri blu i heshtjes”, me disa oficerë policie që filluan të dëshmojnë kundër ish-oficerit Chauvin.

“Mendoj se kjo ishte e jashtëzakonshme. Nëse vazhdon, kjo mund të ndryshojë kulturën e policimit”, thotë zonja Ross.

Ekspertët thonë se për banorët e lagjeve të brendshme të qyteteve, aktiviteti policor është i tepruar, duke rezultuar në shumë tragjedi.

“Nëse policia nuk është e përgatitur për t’u përballur me shumicën e problemeve me të cilat përballen njerëzit e këtyre komuniteteve, atëherë duhet ta rikonceptojmë policinë dhe madje ta transformojmë atë”, thotë zoti Friedman.

Ndryshimi social ka ardhur vetëm pasi njerëzit kanë folur, thotë një tjetër analist.

“Duke bërë kërkesa, duke marshuar, duke bojkotuar autobuzët në Uashington dhe duke bërë të gjitha llojet e rezistencës ndaj pabarazisë, kundër të cilës duhet vepruar”, thotë Steve Phillips, drejtues i emisionit podcast “Demokracia me ngjyra”.

Ditën që u shpall vendimi në Mineapolis, ndodhi një tjetër incident me armë nga policia në Columbus, Ohio. Një oficer policie vrau një adoleshente që shfaqet në video me një thikë në dorë.

Kritikët thonë se policia duhet të ndjekë rregulla të qarta dhe konsistente për përdorimin e forcës në mbarë vendin. Policët thonë se puna e tyre është e rrezikshme dhe se u kërkohet të bëjnë shumë, pa patur burimet e nevojshme, ndonjëherë duke u përballur edhe me njerëz në gjendje të trazuar për të cilët duhet ndihmë psikiatrike.

Ndërsa vazhdojnë thirrjet për ndryshime në polici, në Mineapolis ekziston lehtësim që sistemi gjyqësor ka dhënë një masë drejtësie.

XS
SM
MD
LG