Lidhje

Udhëzime të reja për përdorimin e qelizave embrionale


Një grup shkencëtarësh ndërkombëtarë kanë publikuar udhëzime të reja që heqin një pengesë në fushën e kërkimeve për qelizat embrionale. Shoqata Ndërkombëtare për Kërkimin e Qelizave Embrionale rekomandoi për herë të parë që studiuesit të lejohen të rrisin embrione njerëzore për një periudhë prej më shumë se 14 ditësh në raste të kufizuara. Kufiri prej 14 ditësh për rritjen e embrioneve njerëzore ka qenë në fuqi për më shumë se 40 vjet dhe është i mandatuar në ligj në disa shtete përfshi Britaninë dhe Australinë.

Udhëzime të reja për përdorimin e qelizave embrionale
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:40 0:00

Teknologjia e qelizave embrionale së bashku me kërkime të tjera shkencore siç është gjenetika, po përparojnë me shpejtësi.

Kjo ka bërë që laboratorët e hulumtimeve të jenë nën një vëzhgim më të madh publik. Në të njëjtën kohë, përparimi në këto fusha ka bërë që shkencëtarët të jenë në gjendje të fillojnë të trajtojnë sëmundje të cilat do të ishin të paimagjinueshme dekada më parë.

Udhëzimet e lëshuara së fundmi nga Shoqata Ndërkombëtare për Kërkimin e Qelizave Embrionale kanë për qëllim të sigurojnë mbajtjen e kufijve etikë me këto qeliza, por hapin rrugën që shkencëtarët të kërkojnë miratim për kërkime të mëtejshme nëse përmbushin disa kritere.

Udhëzimet e mëparshme për hulumtimet me qelizat embrionale u përditësuan për herë të fundit në vitin 2016. Sipas këtyre udhëzimeve shkencëtarët duhet të shkatërrojnë embrionet njerëzore të rritura në laborator pas 14 ditësh. Por rregullat e reja e thyejnë këtë kufi kohor.

Ata që kundërshtojnë eksperimentet me embrionet njerëzore përtej kësaj kohe argumentojnë se shkenca kapërcen kufirin moral, dhe se është e paqartë nëse hulumtime të tilla do të sjellin përparimet mjekësore që pretendojnë shkencëtarët.

Robin Lovell-Badge është drejtuesi i grupit të punës që përpiloi udhëzimet e reja. Ai beson se kufiri prej 14 ditësh parandalonte studimin e një periudhe kritike në zhvillimin e embrionit, duke shpjeguar se shumë inde fillojnë të formohen në periudhën nga 14 deri në 28 ditë.

"Ne duhet të kuptojmë se çfarë ndodh në zhvillimin e hershëm njerëzor, sepse nëse nuk e kuptojmë këtë fazë nuk mund të mendojmë për trajtimet e sëmundjeve gjenetike njerëzore, apo defektet e zhvillimit. Dhe për momentin, ekziston një kufi për embrionet, që lejon kultivimin e tyre për 14 ditë. A duhet ta zgjasim? Teknologjitë e reja po lejojnë vendosjen e qelizave embrionale njerëzore tek minjtë, për shembull për të pare zhvillimin e tyre. Tani, ky hulumtim do të ketë një ndikim në të ardhmen për të kuptuar këto sëmundje. Dhe nëse i kuptojmë ato sëmundje, mund të mendojmë për trajtimin e tyre", thotë Robin Lowell-Badge.

Profesori Kay Davies, nga Universiteti i Oksfordit thotë se ndryshimet e udhëzimeve janë të mirëpritura.

"Shkenca po pëparon kaq shpejt dhe është mjaft e vështirë të zhvillojmë debatin e duhur etik para se të ballafaqohemi me vendimin - a duhet ta përdorim këtë teknologji apo jo? Pra, duke e zgjeruar këtë kategori dhe duke pasur vende ku shkenca mund të lejohet të përparojë në mënyrë që të mund të dialogojmë për atë që do të ndodhë më pas, do të jetë tepër e mirëpritur nga të gjithë, si nga shkencëtarët ashtu edhe publiku", thotë profesori Davis.

Sarah Norcross, me organizatën Progress Educational Trust, e cila mbron hulumtimin e qelizave embrionale thotë se të flasësh për këto çështje është e rëndësishme pasi forcon besimin e publikut tek shkenca dhe zvogëlon shqetësimet e tyre.

"Ne kemi folur gjithnjë e më shumë për rregullin 14 ditor. Për rreth katër apo pesë vjet tani jemi angazhuar me publikun në Muzeun e Shkencës, duke i pyetur njerëzit se çfarë do të konsideronin të pranueshme në lidhje me korrigimin e gjenomit njerëzor. Dhe kur flet me njerëzit për këto gjëra, kur ata shohin shkencëtarët në televizion, e heq disi misterin dhe frikën", thotë zonja Norcross.

Shoqata gjithashtu ofroi këshilla për çështje të tjera të debatueshme me qelizat embrionale, duke përfshirë kërkimet për të rritur organe që mund të përdoren për të provuar tolerancën e ilaçeve tek pacientët.

Udhëzimet ndalojnë, për momentin, çdo korrigjim gjenetik që do të transferonte ndryshime tek brezat e ardhshëm - të ngjashme me punën e bërë nga shkencëtari kinez He Jiankui, i cili tronditi botën kur njoftoi në vitin 2018 se kishte krijuar foshnjet e para me gjene të korrigjuara.

Një punë e tillë është e ndaluar për momentin, por Lovell-Badge dhe shkencëtarë të tjerë e pranojnë se një ditë kjo mund të lejohet nëse provohet mjaft e sigurt dhe përdoret në rrethana mjaft të kufizuara.

Udhëzimet gjithashtu ndalojnë klonimin njerëzor, transferimin e embrioneve njerëzore në mitrën e kafshëve dhe krijimin e monstrave njeri-kafshë, duke thënë se një punë e tillë "nuk ka arsyetim shkencor ose është etikisht shqetësuese".

XS
SM
MD
LG