Lidhje

Shtëpia e Bardhë u jep një javë afat republikanëve për marrëveshje për infrastrukturën


Sekretari amerikan i Transportit Pete Buttigieg tha të dielën se po skadon afati për një marrëveshje dypalëshe mbi infrastrukturën, duke lënë të kuptohet se Presidenti Joe Biden mund të veprojë pa mbështetjen e republikanëve nëse nuk arrihet konsensus kur Kongresi të kthehet nga një javë pushim.

"Kur të kthehen më 7 qershor, na duhet një drejtim i qartë," tha zoti Buttigieg. "Presidenti ka thënë vazhdimisht se mosveprimi nuk është alternativë. Dhe koha nuk është e pakufishme." Ai tha se populli amerikan "pret që të bëjmë diçka".

Zoti Biden pritet të takohet këtë javë me negociatorin kryesor republikan, Senatorin Shelley Moore Capito të Virxhinias Perëndimore, ndërsa ka thënë se mbetet i hapur për të dëgjuar mendimet e senatorëve të tjerë republikanë të cilët po punojnë për propozime të ndryshme.

Por presidenti Biden synon një marrëveshje sa më të shpejtë. Në fillim të qershorit mbahet një seancë dëgjimore për një projekt-ligj të transportit në Dhomën e Përfaqësuesve që po konsiderohet si një hap i parë i rëndësishëm për paketën e madhe që ai mbështet.

Edhe senatorët demokratë planifikojnë të vazhdojnë me një paketë gjithëpërfshirëse për infrastrukturën "me ose pa mbështetjen e senatorëve republikanë", tha udhëheqësi i shumicës demokrate të Senatit Chuck Schumer.

Të dyja palët janë larg njëra-tjetrës në qëndrime. Senatorët republikanë javën e kaluar paraqitën një propozim për infrastrukturën prej 928 miliardë dollarësh përkundrejt propozimit të zotit Biden prej 1.7 trilionë dollarësh dhe ata thanë se nuk do të pranonin planet e tij për të rritur taksën e korporatave nga 21% në 28% për të paguar për shpenzimet e reja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG