Lidhje

Faqja ruse e lajmeve në internet, "Newsru" fajëson situatën politike për mbylljen 


Faqja ruse e lajmeve në internet, “Newsru” njoftoi të hënën se po mbyllej për arsye ekonomike, duke thënë se reklamuesit po e shmangnin atë sepse përzgjedhja e lajmeve nuk ndiqte përparësitë e mediave shtetërore pro-Kremlinit.

Peizazhi mediatik televiziv i Rusisë është i dominuar nga mediat shtetërore pro-Kremlinit. Ekziston pak më shumë larmi në internet dhe në shtyp, megjithëse ka filluar një lëvizje për të etiketuar mediat kritike të Kremlinit që marrin fonde nga jashtë si "agjentë të huaj", një hap që po largon si reklamuesit ashtu dhe lexuesit.

“Newsru”, e cila ka funksionuar kryesisht si një agjenci e lajmeve në vitet e fundit, tha se nuk mund të vazhdonte operacionet për arsye ekonomike. "Ne jemi duke ndalur punën për arsye ekonomike, por ato janë shkaktuar nga situata politike në vend", tha “Newsru” në një deklaratë lamtumire për lexuesit në faqen e saj të internetit.

Kjo faqe interneti, e krijuar në 2000 kur Presidenti Vladimir Putin po fillonte mandatin e tij të parë në Kremlin, ju referua vitit 2014 si një pikë kthese kur politika e jashtme ruse dhe struktura e ekonomisë së brendshme ndryshuan në mënyrë dramatike.

Ky ishte viti që Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina, duke nxitur një rritje të ndjenjave patriotike brenda vendit dhe duke çuar marrëdhëniet me Perëndimin në nivelin më të ulët pas mbarimit të Luftës së Ftohtë.

"Foto jonë e ditës u bë aq e ndryshme nga fotot e favorizuara nga burimet shtetërore (media) sa që reklamuesit kryesorë i dhanë fund bashkëpunimit me ne pas ngjarjeve të vitit 2014, ndërsa të tjerët filluan të ishin veçanërisht të kujdesshëm këtë vit", thuhet në njoftimin e “Newsru”.

Kremlini mohon akuzat se po godet mediat e pavarura. Zyrtarët kanë thënë se peizazhi i mediave të lajmeve në internet është i gjallë dhe se njerëzit kanë shumë burime për të zgjedhur dhe se faqet po hapen dhe mbyllen për arsye të ndryshme.

Lidhjet e Rusisë me Perëndimin këtë vit janë acaruar ashpër për shkak të burgosjes së kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny dhe një periudhe tensionesh në lidhje me Ukrainën fqinje.

“Newsru” gjithashtu u ankua për rregulloret që u kërkojnë mediave në Rusi të etiketojnë të gjitha agjencitë e lajmeve që shteti i konsideron si "ekstremiste" ose "agjentë të huaj" kur i referohen artikujve të tyre.

Rusia ka shpallur disa media si "agjentë të huaj" përfshirë transmetuesin amerikan të Radios Evropa e Lirë / Radio Liria, portalin mediatik Meduza dhe faqen e internetit VTimes.

Një gjykatë po shqyrton gjithashtu një thirrje për ta shpallur "ekstremiste" lëvizjen e zotit Navalny.

"Ne gjithnjë e më shumë jemi detyruar të shkruajmë për miratimin e ligjeve kufizuese që mund të na prekin vetë neve çdo ditë. Ne duhej të etiketonim si agjentë dhe ekstremistë të huaj gjithnjë e më shumë njerëz të respektuar dhe burime të vërteta të informacionit ", thuhet në deklaratën e agjencisë së lajmeve “Newsru”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG