Lidhje

Presidenti Biden sot në Tulsa, në kujtim të masakrës së vitit 1921


Presidenti Joe Biden do të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore për një nga momentet më të errëta dhe përgjithësisht të harruara të historisë së Amerikës: masakrën e Tulsës dhe shkatërrimin e një komuniteti vital në 100 vjetorin e kësaj ngjarjeje.

Vizita e Presidentit Biden të martën, ku ai do të nderojë qindra afrikano-amerikanë të vrarë nga një turmë e bardhë një shekull më parë, ndodh në një kohë kur vendi po kalon një moment reflektimi mbi drejtësinë racore. Vizita do të nxjerrë në pah një kontrast të fortë me sjelljen e presidentit të mëparshëm, i cili ishte vjet në Tulsa.

Zoti Biden do të bëhet presidenti i parë që merr pjesë në ceremoni përkujtimore për ngjarjet që çuan në shkatërrimin e lagjes në qytetin Tulsa, të njohur si Wall Street-i i afrikano-amerikanëve. Më 31maj deri më 1 qershor 1921, banorët e bardhë dhe drejtues të qytetit të Tulsës plaçkitën, vandalizuan dhe dogjën lagjen Grinud.

Presidenti Biden do të zhvillojë takime me të mbijetuarit e masakrës. Rreth 300 afrikano-amerikanë u vranë, mijëra të tjerë u dërguan në kampe internimi të mbikqyrura nga Garda Kombëtare. Tulla të nxira nga zjarri dhe një pjesë e themelit të një kishe janë ndër gjurmët e pakta ende të dukshme sot nga kjo lagje dikur vitale afrikano-amerikane.

Administrata e zotit Biden do të vihet në provë nga përpjekjet që vazhdojnë për të arritur drejtësi racore. Vetë Presidenti Biden do ta kishte pasur të pamundur të fitonte zgjedhjet, nëse nuk do të kishte marrë mbështetjen e afrikano-amerikanëve, si gjatë kandidimit brenda partisë, ashtu edhe në garën me ish-Presidentin Trump.

Megjithë vëmendjen që po i kushtohet në këtë 100-vjetor, masakra e Tulsës është një temë relativisht e re në debatin publik dhe vizita e presidentit do ta sjellë edhe më në qendër të vëmendjes.

Joe Biden, i cili ka qenë nënpresident gjatë mandatit të të vetmit president afrikano-amerikan në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe po ashtu ka zgjedhur të vetmen grua afrikano-amerikane si nënpresidente, nxori një proklamatë duke e shpallur të hënën “ditë përkujtimore” për masakrën.

Paraardhësi i zotit Biden, Presidenti Donald Trump vizitoi Tulsën vjet në rrethana shumë të ndryshme.

Pas periudhës së pezullimit të aktiviteteve për fushatë si rezultat i pandemisë, Presidenti Trump e rifilloi fushatën me një aktivitet në Tulsa. Vendimi i tij për të zhvilluar një tubim më 19 qershor, një ditë e shënuar për afrikano-amerikanët, kur ata kremtojnë fundin e skllavërisë në SHBA, u përcoll me kritika aq të forta saqë zoti Trump u detyrua ta shtynte aktivitetin. Një ditë më pas, tubimi u shoqërua me protesta si dhe u dallua për pjesëmarrje të ulët brenda dhe jashtë sallës.

Presidenti Trump arriti në Tulsa në një periudhë shumë të ngarkuar për vendin, disa ditë pasi kishte urdhëruar largimin me forcë të protestuesve nga Sheshi Lafayette para Shtëpisë së Bardhë. Protestuesit ishin mbledhur me thirrjet për drejtësi racore pak javë pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd nga një polic i bardhë. Zoti Trump gjatë gjithë presidencës së tij mbajti anën e forcave të rendit dhe u akuzua shpesh për përdorim të retorikës raciste, kur fliste me terma të zymta për zona urbane të Amerikës, që janë përgjithësisht me shumicë afrikano-amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG