Lidhje

Izrael, drejt skadimit afati për të formuar qeverinë


Një grup i gjerë partish izraelite, me qasje të ndryshme ideologjike, të cilat po përpiqen të largojnë nga pushteti kryeministrin Benjamin Netanjahu, kanë afat deri në fund të ditës së sotme (e mërkurë) për të arritur një marrëveshje për një qeveri koalicioni.

Përpjekja drejtohet nga Yair Lapid, kreu i partisë Yesh Atid. Pas dështimit të kryeministrit Netanyahu për të formuar një qeveri në fillim të muajit maj Presidenti Reuven Rivlin i dha zoti Lapid mandatin për të formuar një koalicion që mund të sigurojë shumicën në parlamentin (Knesset) prej120 anëtarësh.

Të dielën përpjekjet e zotit Lapid për të formuar një qeveri morën një nxitje kur Naftali Bennett, i cili drejton partinë nacionaliste të vijës së ashpër Yamina, tha se do t'i bashkohej koalicionit. Nëse arrihet një marrëveshje, zoti Bennett do të shërbente për dy vitet e para si kryeministër e më pas posti do t’i kalonte zotit Lapid.

Prej dy vitesh Izraeli ka qenë i përfshirë nga trazirat politike, gjatë të cilave ka zhvilluar katër palë zgjedhje.

Pas dy proceseve zgjedhore në vitin 2019, zoti Netanjahu dështoi të formonte një koalicion, por qëndroi në detyrë si kryeministër i përkohshëm. Një vit më parë ai formoi një qeveri koalicioni me rivalin Benny Gantz, por koalicioni u prish në dhjetor pas dështimit të parlamentit për të miratuar buxhetin.

Nëse zoti Lapid nuk ia del të formojë një koalicion brenda ditës së mërkurë, një kandidat për kryeministër i zgjedhur nga parlamenti do të përpiqet të formojë qeverinë. Nëse edhe kjo mundësi dështon, Izraeli do të shkonte sërish në zgjedhje. Benjamin Netanjahu ka qenë në detyrën e kryeministrit që nga viti 2009, pasi ka mbajtur të njëjtën detyrë për tre vitesh në vitet 1990. Aktualisht ndaj tij po zhvillohet një proces gjyqësor nën akuza penale për korrupsion, të cilat zoti Netanjahu i ka hedhur poshtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG