Lidhje

Italianët të indinjuar pas lirimit nga burgu të ish-mafiozit famëkeq 


Italy Mafia

Lirimi nga burgu i një prej mafiozëve më famëkeqë të Italisë, i cili më pas u kthye në informator të prokurorisë, shkaktoi indinjatë të madhe mes italianëve, edhe pse në një intervistë nga burgu kohë më parë ai kërkoi falje për viktimat e tij të shumta.

Giovanni Brusca, 64 vjeç, doli nga burgu gjatë kësaj jave pasi vuajti 25 vjet dënim, për disa nga krimet më të rënda të kryera nga grupi kriminal “Cosa Nostra”.

Sipas vendimit të gjykatës, Giovanni Brusca ka qenë i përfshirë në vrasjen e ish-prokurorit kryesor të anti-mafias Giovanni Falcone në vitin 1992, bashkëshortes së tij dhe tre truprojeve; po ashtu dhe në rrëmbimin dhe vrasjen në vitin 1996 të një djali 11-vjeçar, i ati i të cilit kishte kaluar me një grup tjetër rival. Trupi i djalit të mitur u tret në një vaskë me acid.

Brusca thuhet se pranoi të merrte pjesë në rreth 150 vrasje si “krahu i djathtë” i drejtuesit të “Cosa Nostra-s”, Salvatore "Toto" Riina, i cili vdiq në burg në vitin 2017.

Duke pasur parasysh peshën e krimeve të 64-vjeçarit, lirimi i tij i hershëm shkaktoi zemërim tek shumë italianë dhe nxiti thirrjet për të reformuar ligjet që lejojnë uljen e dënimeve për mafiozët të cilët bashkëpunojnë me hetuesit. Por të tjerët, përfshirë motrën e prokurorit të vrarë, e mbrojtën vendimin si një mënyrë të domosdoshme për të joshur mafiozët të bashkëpunojnë me sistemin e drejtësisë.

Gazeta italiane “Corriere della Sera” publikoi disa pjesë të një interviste, të bërë në 10 janar 2016, ku Giovanni Brusca kërkonte falje për krimet e tij. Duke mos treguar fytyrën, Brusca tha se: “kërkonte falje nga të gjithë të afërmit e viktimave të cilëve u shkaktova kaq shumë dhimbje dhe trishtim”.

XS
SM
MD
LG