Lidhje

Rregullorja e re e parlamentit, protestojnë gazetarët


Në Shqipëri, gazetarët e mediave locale të cilët mbulojnë zhvillimet në parlamentin shqiptar, protestuan të mërkurën ndaj rregullores së re të miratuar javën e shkuar nga Byroja parlamentare e cila ndryshon kushtet e punës për mbulimin e ngjarjeve në këtë institucion. Sipas saj gazetarët nuk mund të jenë më të pranishëm për të ndjekur mbledhjet e Komisioneve parlamentare. Gjithshka do të mund të ndiqet nga një sallë dedikuar mediave. Por ajo që ka sjellë dhe shqetësimin më të madh lidhet me faktin se gazetarët as nuk do të mund të levizin në mjediset e parlamentit dhe nëse do të duhet të bëjnë intervista me deputetët, nevojitet që të paraqesin më parë një kërkesë.

“Ne vërejmë me shqetësim të madh, se vendimi i Byrosë së Kuvendit, nr.82, datë 02.06.2021 bie ndesh me parimet e lirisë së shtypit, pengon transparencën dhe krijon diskrimin mes mediave. Ky sistem i ndërtuar prej jush e bën informacionin të kontrolluar, të manipulueshëm, të pa plotë, dhe me rrezik real për censure”, nënvizohet në letrën e protestës drejtuar parlamentit. “Ne denoncojmë faktin se ju e keni marrë këtë vendim në mungesë të konsultimit me grupet e interesit. Asnjë nga ne gazetarët nënshkrues të mëposhtëm, të cilët prej vitesh jemi të akredituar në Kuvend, nuk jemi thirrur për shkëmbim mendimesh dhe për konsultim publik për këtë rregullore”, vijon më tej shkresa në të cilën theksohet se “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton pjesëmarrjen e medias dhe publikur në mbledhjet e organeve kolegjiale. Të tilla janë edhe komisionet parlamentare”.

Ndërsa kundërshtojnë faktin se rregullorja “i jep TVSH-së dhe ATSH-së një akses të pakufizuar për të lëvizur në ambientet e Kuvendit, në kundërshtim me legjislacionin shqiptar të barazisë dhe të mbrojtjes nga diskriminimi”, gazetarët kërkojnë “tërheqjen e vendimit të Byrosë së parlamentit” dhe “”nisjen e menjëhershme të një negociate publike të Kuvendit dhe reporterëve të akredituar në institucion dhe organizimave të tjerë të interesuar”.

Në mbështetje të gazetarëve shqiptarë është rreshtuar dhe Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt i cili bashkon shoqatat e gazetarëve nga vendet e Ballkanit. Sipas një deklarate të këtij Rrjeti, të shpërndarë të mërkurën “rregullorja e re e parlamentit shqiptar për “orientimin” e medias mund të rrezikojë lirinë e saj”.

Në një reagim të gjatë, Parlamenti sqaroi se “teknikisht, gazetarët dhe publiku, me ndërmjetësinë ose jo të gazetarit, nuk pengohen nga informimi. Kuvendi i Shqipërisë nuk censuron dhe nuk përzgjedh asnjë pamje dhe asnjë plan, pasi Kuvendi i Shqipërisë nuk po instalon asnjë regji qendrore. Përkundrazi çdo gjë komandohet nga vetë gazetarët dhe janë ata që ndjekin dhe përzgjedhin çdo pamje apo detaj që dëshirojnë të transmetojnë. Në “News room-in” e dedikuar për gazetarë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë regji dhe asnjë regjisor të ngarkuar me detyrën për përzgjedhjen e pamjeve”.

Parlamenti shpjegon më tutje se “sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar, konceptuar dhe ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, nëpërmjet Programit IPA 2014 të Komisionit Europian për Shqipërinë, dhe Kuvendi është përfitues i këtij projekti/modeli të ri. Edhe specifikimet teknike të ndërtimit të këtij sistemi u përcaktuan dhe miratuan nga Komisoni Evropian, bazuar në standardet dhe përvojat më të mira të parlamenteve të vendeve të BE-së”.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i delegacionit të BE-së në Tiranë. “Dëgjesat publike dhe qasja e mediave në Parlament për të mbuluar punën e seancave dhe komisioneve të tij janë elemente të rëndësishme të një demokracie liberale. Keqardhje për mungesën e konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të reja nga Parlamenti. Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014”, saktëson Delegacioni I BE-së përmes një postimi në Twitter.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG