Lidhje

FBI: Akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale marrin trajtimin e duhur


Christopher Wray
Christopher Wray

E përballur me thirrje për llogaridhënie nga lëvizja #MeToo, FBI-ja thotë se po i shqyrton me seriozitet rastet e ngacmimeve seksuale në radhët e saj, duke hapur një linjë 24 orëshe për të ndihmuar viktimat e këtyre rasteve dhe duke marrë një qëndrim më të ashpër ndaj agjentëve që zbulohet se kanë kryer veprime të tilla.

Ky ndryshim pason raportimin e agjencisë së lajmeve Associated Press vitin e kaluar në të cilin përmendeshin një seri akuzash për sulme seksuale dhe ngacmime kundër zyrtarëve të lartë që kaluan në heshtje, shmangën masat disiplinore, dolën në pension, ose u transferuan në poste të tjera pas vërtetimit të akuzave.

Zëvendës drejtori i FBI-së, Paul Abbate i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se Byroja Federale e Hetimeve po dërgon mesazhin e saj më të fortë ndonjëherë se punonjësit që tundohen të kryejnë ngacmime seksuale duhet të stepen sepse nëse e bëjnë këtë, do të ndeshen me pasoja.

"Kjo është një qasje e fortë, një zhvendosje e fuqishme dhe ne e kuptojmë atë. Dhe vendimi për këtë ka ardhur nga lartë”, tha zoti Abbate. "Individët që përfshihen në këtë lloj sjelljeje të papërshtatshme nuk i përkasin FBI-së dhe ata sigurisht nuk duhet të kenë role mbikëqyrëse.”

Ndër ndryshimet që zyrtarët e FBI-së detajuan për agjencinë e lajmeve Associated Press në një seri intervistash të kohëve të fundit është edhe hapja e një linje telefonike 24 orëshe, ku mund të raportohen rastet e abuzimit, megjithëse ata nuk pranuan të tregonin se sa telefonata kishin marrë deri tani. Ata gjithashtu cituan një grup pune të drejtuesve të lartë për të rishikuar politikat dhe procedurat për ngacmimet seksuale dhe mbështetjen e viktimave, dhe për veprime më të shpejta në hetimin e akuzave për abuzim seksual dhe pushimin nga puna ose të paktën mohimin e të drejtës për role mbikqyrëse për punonjësit që vertetohet se kanë bërë sjellje të papërshtatshme seksuale.

Akvistët që merren me luftimin e abuzimit seksual i pritën me skepticizëm ndryshimet e bëra nga FBI-ja, duke i quajtur ato të vonuara, që vijnë disa vite pas fillimit të lëvizjes #MeToo, dhe që nuk kanë të ngjarë të sjellin një ndryshim të qëndrueshëm.

"Të gjithë e kanë kaluar këtë fazë, duke përfshirë ushtrinë, por byroja (FBI) ka arritur ta shmang", tha Jane Turner, një ish-agjente e lartë e FBI-së, e cila në vitin 1983 u bë gruaja e parë që drejtoi një departament hetimi të FBI-së.

"Derisa FBI-ja të ngrejë akuza ndaj këtyre njerëzve dhe t'i hedhë në burg, ose të paktën t’i pushojë nga puna, dhe të dalë mesazhi se kjo nuk mund të bëhet, këto veprime nuk do të ndalen", tha zonja Turner, e cila tani punon në Qendrën Kombëtare të Sinjalizuesve. "Do të duhet një ndryshim total i kulturës (brenda FBI-së)", shtoi ajo.

Zyrtarët e FBI-së këmbëngulin se akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale përfaqësojnë një numër shumë të vogël të personelit të saj që përbëhet nga afërsisht 35,000 vetë. Por rastet që janë identifikuar nga Associated Press dhe nga një grup i brendshëm mbikqyrës në Departamentin e Drejtësisë, kanë ekspozuar boshllëqe të përgjegjësisë dhe sjellje shumë të rënda.

Një hetim i agjencisë së lajmeve Associated Press vitin e kaluar zbuloi se disa zyrtarë të lartë të FBI-së i kanë shmangur masat disiplinore, janë transferuar ose kanë dalë në pension në heshtje me përfitime të plota, edhe pasi akuzat për abuzime seksuale ndaj tyre ishin vërtetuar.

Në mesin e tyre ishte edhe James Hendricks, ish-agjenti kryesor në Albani të Nju Jorkut, i cili u akuzua se kishte ngacmuar seksualisht tetë vartëse femra, duke përfshirë një grua të cilës i kishte kërkuar marrëdhënie seksuale në një dhomë konferencash. Një ndihmës drejtor i FBI-së gjithashtu doli në pension pasi ishin vërtetuar akuzat për prekje të papërshtatshme seksuale ndërsa ai ishte i dehur.

Përveç këtyre incidenteve, ka edhe një padi gjyqësore kundër FBI-së për ngacmime sistematike seksuale në akademinë e saj të trajnimit në Kuantiko të Virxhinias.

Ngacmimet seksuale gjithashtu kanë tërhequr vëmendjen e Kongresit dhe aktivistëve, të cilët bënë thirrje për mbrojtje të reja për sinjalizuesit që punojnë në FBI dhe për krjimin e një njësie të jashtme për të shqyrtuar çështjet disiplinore të saj.

Drejtori i FBI Christopher Wray tha gjatë një seance dëgjimore në Kongres në prill se kjo është një temë që "ma bën gjakun të vlojë".

"Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa njerëzit tanë dhe si e trajtojmë njëri-tjetrin", tha zoti Wray. "Unë jam përpjekur ta bëj të qartë se ne do të kemi zero tolerancë për atë lloj aktiviteti në çdo nivel brenda organizatës sonë (FBI-së)."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG