Lidhje

UEFA pezullon për një ndeshje futbollistin Marko Arnaudoviç


Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka urdhëruar pezullimin e futbollistit Marko Arnaudoviç për ndeshjen e radhës për shkak të ofendimit në ndeshjen e së dielës ndaj lojtarit Ezgjan Alioski të Maqedonisë së Veriut.

Arnaudoviç, sulmues i kombëtares së Austrisë, me origjinë serbe, ka ofenduar mbi baza etnike lojtarin Alioski, i cili është shqiptar me origjinë nga rrethi i Prilepit në Maqedoninë e Veriut, në ndeshjen e Kampionatit evropian që u lajt të dielën në Bukuresht të Rumanisë.

Alioski u kishte thënë bashkëlojëtarëve dhe drejtuesve të përfaqësueses kombëtare maqedonase se “Arnaudoviç ia kishte sharë nënën shqiptare”. Kjo madje ishte regjistruar edhe nga kamerat e UEFA-së. Rasti shtyu Federatën Maqedonase të Futbollit që të reagojë tek Shtëpia evropiane e futbollit, siç i referohen ndryshe UEFA-s për ta ndëshkuar futbollistin e përfaqësueses së Austrisë.

Arnaudoviçi shpërtheu në ofendime pasi dha gol në minutat e fundit të ndeshjes Austri – Maqedoni e Veriut (3:1). Ndërkohë, pas ndeshjes ai duke qenë i vetëdijshëm për pasojat, i kishte kërkuar ndjesë Ezgjan Alioskit, siç ka pohuar ky i fundit dhe siç shihet në një prej fotografive. Gjatë një momenti të gjestikulacioneve të Arnaudoviçit në fushë, ndërhyri kapiteni austriak David Alaba duke u munduar që ta heshtë bashkëlojtarin e tij.

Pas kërkesës së Ferderatës Maqedonase të Futbollit (FFM), UEFA hetoi rastin dhe gjeti se “Arnaudoviç kishte shkelur rregullat e garës duke fyer një lojtar tjetër”. Lojtari i Austrisë do të humbasë ndeshjen e së enjtes kundër Holandës.

Në një njoftim të Federatës maqedonase thuhet se “FFM e dënon ashpër shfaqjen nacionaliste të lojtarit të Austrisë, Marko Arnaudoviç, pas shënimit të golit në ndeshjen e së dielës, drejtuar lojtarit maqedonas Ezgjan Alioski. Ua bëjmë me dije se i kemi dërguar një letër zyrtare UEFA-s me kërkesë për një dënim sa më të ashpër kundër Arnautoviçit”, thuhet në komunikatë.

Arnautoviçi pas ndeshjes shkruante në rrjetet sociale se gjatë emocioneve të ndeshjes pati “fjalë të zjarrta” për çka u kërkonte falje në veçanti “miqve të tij nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria”. “Unë nuk jam racist. Kam miq në çdo vend dhe angazhohem për diversitetin”, shkruante lojtari 32 vjeçar me origjinë serbe.

Maqedonia e Veriut për herë të parë luan në Kampionatin Evropian të Futbollit dhe në radhët e saj ka gjashtë shqiptarë të cilët luajnë në ekipe prestigjioze evropiane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG