Lidhje

Takimi Biden-Putin përmbyllet me respekt, por pa zgjidhur mosmarrëveshjet


U.S. President Joe Biden and Russia's President Vladimir Putin meet for the U.S.-Russia summit at Villa La Grange in Geneva, Switzerland, June 16, 2021.

Presidenti Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin i dhanë fund takimit mes tyre me komente pozitive për bisedimet, megjithëse mbeten dallime të qarta në qëndrimet e tyre.

Takimi Biden-Putin përmbyllet me respekt, por pa zgjidhur mosmarrëveshjet
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Gjatë takimit u shkëmbyen kortezi diplomatike, siç e pohoi Presidenti Biden:

“Toni i takimeve që vazhduan më duket për katër orë, ishte i mirë, pozitiv,” tha zoti Biden.

Këtë përshtypje shprehu edhe homologu rus:

“Ishte një diskutim shumë konstruktiv,” tha udhëheqësi rus, Vladimir Putin.

Ata ranë dakord të fillojnë bisedimet për stabilitet strategjik dhe sigurinë kibernetike.

“Fakti që kemi thyer praktikën e ndëshkimit të ndërsjelltë dhe të ngushtimit të sferës së marrëdhënieve diplomatike ka rëndësi. Të dyja palët përfitojnë. Por vetëm e ardhmja do të tregojë nëse ka pasur arritje konkrete dhe ndryshime në qëndrimin e rusëve,” thotë analisti Cyrus Newlin.

Edhe pas takimit, mbeten mospajtime të dukshme, si për shembull lidhur me Ukrainën ku në pjesën lindore prej vitesh vazhdon konflikti mes forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Moska.

“Shpreha mbështetjen e patundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës,” tha zoti Biden.

Ukraina kërkon antarësim në NATO, gjë që Moska ka thënë se nuk do ta pranojë.

Presidenti Biden foli për mbështetjen për të drejtat e njeriut, duke veçuar aktivistin opozitar rus, Aleksei Navalni, i cili dergjet në burg.

Zoti Putin reagoi me mospërfillje ndaj kritikave se Moska shtyp disidentët politikë dhe solli si shembull protestat me thirrjet për drejtësi racore në Shtetet e Bashkuara. Ai mbetet sfidues përballë kritikave lidhur me Navalnin.

“Navalni u kthye në Rusi me një sjellje që tregoi qartë se synonte të arrestohej,” tha zoti Putin.

Presidenti Biden e bëri të qartë se ai dallon nga pararendësi, Donald Trump, i cili në 2018 mbajti anën e udhëheqësit rus, Putin dhe jo të shërbimeve të zbulimit që fajësuan Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane të 2016.​

“Presidenti Putin e mohoi me shumë forcë dhe këmbëngulje këtë akuzë,” tha në atë kohë Presidenti Trump.

“E bëra të qartë se nuk do të tolerojmë përpjekje për të dhunuar sovranitetin tonë demokratik apo për të destabilizuar zgjedhjet tona demokratike. Do të përgjigjemi,” tha Presidenti Biden.

Presidenti Biden gjithashtu paralajmëroi udhëheqësin rus se do të ketë kundërpërgjigje ndaj sulmeve kibernetike.

“Presidenti Biden do të tregohet i kujdesshëm që çdo përgjigje të jetë proporcionale, duke pasur parasysh që Rusia nuk është thjesht një fuqi kibernetike, por shumë e aftë në këtë fushë pasi ka aftësinë të bëjë dëm të madh tek kapacitetet amerikane,” thotë analisti Newlin.

Presidenti Biden u kthye menjëherë në Uashington pas bisedimeve me udhëheqësin rus, duke përmbyllur një javë të gjatë takimesh që u përqëndruan tek rindërtimi i marrëdhënieve transatlantike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG