Lidhje

Presidenti Biden takim me homologun afgan në Shtëpinë e Bardhë


Të premten Presidenti Joe Biden pritet të takohet në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Afganistanit Ashraf Ghani dhe kryetarin e Këshillit të Lartë për Pajtimin Kombëtar Abdullah Abdullah për të diskutuar rreth tërheqjes së trupave amerikane, mes një rritje të akteve të dhunës në të gjithë vendin mes forcave afgane dhe talibanëve.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej se në takimin e tyre të parë ballë për ballë, Presidenti Biden pritet të sigurojë zotin Ghani dhe zotin Abdullah për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për popullin afgan duke ofruar ndihmë diplomatike, ekonomike dhe humanitare. Presidenti Biden do të përsërisë gjithashtu zotimin e tij për të siguruar që vendi të mos bëhet kurrë një strehë e sigurt për grupet terroriste.

"Vizita e Presidentit Ghani dhe Dr. Abdullah do të nxjerrë në pah partneritetin e qëndrueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit ndërsa tërheqja ushtarake vazhdon", thuhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Por që nga vendimi i muajit prill i Presidentit Biden për të tërhequr të gjitha trupat amerikane para 11 shtatorit, me qëllimin për t'i dhënë fund luftës më të gjatë ku janë përfshirë ndonjëherë SHBA-të, të paktën 30 qarqe të Afganistanit janë pushtuar nga talibanët.

Grupi ka organizuar një fushatë për të zgjeruar ndikimin në të gjithë vendin ndërsa Shtetet e Bashkuara nisën tërheqjen e trupave më 1 maj dhe mbyllën disa baza duke ia dorëzuar qeverisë afgane.

Talibanët thanë se vizita në Uashington do të ishte "e padobishme".

"Ata (Ghani dhe Abdullahu) do të flasin me zyrtarët amerikanë për ruajtjen e fuqisë dhe interesit personal të tyre", tha zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid. "Kjo nuk do t'i sjellë dobi Afganistanit", shtoi ai.

Zyra e Presidentit Ghani nuk ka bërë asnjë koment deri tani, por një zyrtar i lartë afgan tha se presidenti do të kërkojë garanci nga Shtetet e Bashkuara mbi mbështetjen e vazhdueshme për forcat afgane të sigurisë pas tërheqjes së trupave amerikane.

Vizita e tij në Uashington vjen përballë një përparimi të ngadaltë në bisedimet në Kater mes talebanëve dhe përfaqësuesve të qeverisë afgane. Zyrtarët kanë ngritur shqetësime rreth negociatave të bllokuara duke thënë se talibanët nuk kanë paraqitur ende një propozim paqeje me shkrim, i cili mund të përdorej si një pikënisje për bisedime thelbësore.

Në maj, analistët e zbulimit amerikan publikuan një vlerësim sipas të cilit talibanët "do të zhbëjnë shumë" nga përparimi i arritur në fushën e të drejtave të grave afgane nëse ekstremistët islamikë rimarrin pushtetin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG