Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve do të krijojë një Komision të Ri për hetimin e sulmit ndaj Kapitolit


Nancy Pelosi
Nancy Pelosi

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha para kolegëve demokratë të martën se ajo do të krijojë një Komision të ri për të hetuar sulmin e 6 janarit në Kapitol, tha një person që foli në kushte anonimiteti.

Zonja Pelosi e bëri njoftimin në një takim të mbyllur për mediat të udhëheqjes demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, por nuk dha detaje shtesë. Personi dëshiroi të fliste në kushte anonimiteti për komentet që ishin bërë në mbledhje.

Komisioni i ri vjen pasi republikanët e Senatit bllokuan projektligjin për krijimin një komisioni dypartiak, të pavarur për të hetuar sulmin nga mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump në Kapitol. Zonja Pelosi tha në fillim të këtij muaji se Dhoma e Përfaqësuesve do të intensifikonte hetimet për protestën e dhunshme, në të cilën një turmë sulmoi policinë dhe hyri në ndërtesë në kërkim të ligjvënësve për të ndërprerë çertifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.

Komisioni i ri do të drejtohet nga shumica demokrate. Më shumë se 30 ligjvënës republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe shtatë senatorë republikanë thanë se donin të shmangnin një hetim partiak dhe ata mbështetën projektligjin për të formuar një komision të pavarur, i cili do të ishte i ngjashëm me atë që hetoi sulmet terroriste të 11 shtatorit.

Por, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të tejkaluar kundërshtimin e republikanëve në Senat, ku mbështetja nga 10 republikanë është e nevojshme për të miratuar shumicën e projektligjeve nëse të gjithë demokratët votojnë si një bllok i vetëm. Udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer ka thënë se ai mund të organizonte një votim të dytë pasi projektligji dështoi të avanconte muajin e kaluar, por nuk ka asnjë shenjë se demokratët mund të fitojnë mbështetjen e nevojshme nga tre republikanë të tjerë.

"Ne nuk mund të presim më gjatë," tha zonja Pelosi më 15 qershor. "Ne do të vazhdojmë punën tonë", shtoi ajo.

Shumë republikanë e kanë bërë të qartë se nuk duan të merren më me çështjen e sulmit të 6 janarit, duke shmangur pyetjet e shumta në lidhje me sulmin, përfshirë mënyrën se si qeveria dhe forcat e zbatimit të ligjit nuk morën informacionin e inteligjencës para se të fillonte protesta e dhunshme dhe rolin e ish-Presidentit Trump para dhe gjatë sulmit.

Sulmi i 6 janarit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, shkaktoi vdekjen e pesë personave, përfshirë një oficer policie dhe plagosjen e më shumë se 100 të tjerëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG