Lidhje

SHBA, arrihet marrëveshje dypartiake mbi infrastrukturën


Presidenti Joe Biden deklaroi të enjten se është arritur një marrëveshje dypalëshe mbi një plan infrastrukturor prej 953 miliardë dollarësh, i cili pritet të përmbushë objektivat kryesore të administratës së tij në këtë fushë si dhe vërteton përpjekjet e zotit Biden për bashkëpunim ndërpartiak.

Presidenti Biden bëri një paraqitje të papritur para kamerave me një grup senatorësh, republikanë e demokratë, pas arritjes së një marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë. Detajet e marrëveshjes nuk dihen ende, por plani që parashikon 559 miliardë dollarë në shpenzime të reja, gëzon një mbështetje të rrallë dypartiake e cila mund t’i hapë rrugën më vonë një propozimi më të gjerë të presidentit prej 4 trilionë dollarësh.

Presidenti tha se jo të gjithë morën atë që donin dhe se përparësitë e tjera të Shtëpisë së Bardhë do të trajtohen veçmas.

"Arritëm një marrëveshje", shkruante presidenti Biden në Twitter. "Një grup senatorësh, pesë demokratë dhe pesë republikanë u bashkuan dhe arritën një marrëveshje mbi infrastrukturën që do të krijojë miliona vende pune për amerikanët".

Marrëveshja u arrit pas muajsh përplasjesh politike që kanë konsumuar Uashingtonin. Megjithatë Presidenti Biden vazhdonte të këmbëngulte për të bërë diçka në këtë drejtim pavarësisht skepticizmit që vinte edhe nga shumë vetë brenda partisë së tij.

I udhëhequr nga republikani Rob Portman i Ohaios dhe demokratja Kyrsten Sinema nga Arizona, grupi përfshin disa nga ligjvënësit më të pavarur të Senatit, disa të njohur për kundërshtitë brenda partive së tyre.

"Ju e dini që ka shumë që thonë se bashkëpunimi mes dy partive ka vdekur në Uashington", tha zonja Sinema. "Por ne mund ta përdorim pikërisht atë për t'i zgjidhur këto sfida".

Senatorja republikane Susan Collins, tha se marrëveshja i dërgon një mesazh të rëndësishëm botës gjithashtu se Amerika siç tha ajo “mund të funksionojë dhe mund t'i kryejë gjërat".

Senatorët janë përballur me sfidën se ku do të gjenden paratë për shpenzimet e reja, por u larguan nga Shtëpia e Bardhë me një ndjenjë besimi se çështjet e financimit të projektligjit ishin trajtuar. Senatorët nga të dyja palët theksuan se marrëveshja do të krijojë vende pune, një besim që kapërceu qartë interesat partiake dhe krijoi një kornizë për marrëveshjen.

"Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku, nuk kemi mbaruar", tha senatori republikan Mitt Romney. "Amerika po punon dhe Senati po punon".

Për Presidentin Biden marrëveshja ishte një rezultat i mirëpritur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG