Të paktën katër persona humbën jetën pas shembjes së një godine 12 katëshe në periferi të Majamit ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimin për 159 të pagjetur.
Presidenti amerikan Joe Biden premtoi ndihma për banorët e Floridës që janë prekur nga shembja e ndërtesës.
“Kam biseduar me Guvernatorin DeSantis dhe kemi siguruar ndihmat që u duhen. Kemi dërguar profesionistët më të mirë të Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave. Do të qëndrojmë krah tyre në këtë gjendje të jashtëzakonshme. Dua të them, dhe besoj se mund të flas në emër të anëtarëve të Kongresit dhe të gjithë të mbijetuarve, se është kohë e vështirë. Shumë njerëz po presin. A janë gjallë? A do të ketë të mbijetuar? Me zemër jemi me ta. Kemi biseduar me autoritetet atje. Ju premtoj se administrata dhe Kongresi do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar tani dhe më vonë kur të përcaktohet gjendja e vërtetë”, tha zoti Biden.
Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit e mundshëm nën rrënojat e ndërtesës 12 katëshe në periferi të Majamit, ndërsa numri i viktimave vazhdon të rritet.
"Për fat të keq, kjo ishte një natë tragjike. Kemi arritur të gjejmë dhe shpallim të sigurt 120 persona, që është një lajm shumë i mire, por numri i të pagjeturve ka shkuar në 159. Po ashtu, ju njoftojmë se numri i viktimave ka arritur në katër. Dua të jem e qartë lidhur me numrat. Ata mund të ndryshojnë vazhdimisht. Ne do të vazhdojmë t’ju inforojmë lidhur me ta. Tani mund të konfirmojmë se kemi katër vdekje”, njoftoi kryebashkiakja e Majami-Dejd, Daniella Levine Cava.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shtetin e Floridës dhe urdhëroi ndihma federale për të përforcuar përpjekjet e autoriteteve shtetërore dhe atyre lokale në tejkalimin e kësaj situate.
Të enjten ekipet e specializuara të kërkim-shpëtimit arritën të dëgjojnë disa goditje dhe zhurma tjera, por jo zëra njerëzish, që vinin nga nën rrënojat e godinës së shembur në qytezën Sërfsajd pranë Majamit.
Në disa filmime nga kamerat e sigurisë në orët e para të së enjtes, shihet se si ndërtesa ndahet në dysh, duke krijuar një re të madhe pluhuri që mbështjell gjithë zonën.
Ende nuk dihet shkaku i rrëzimit të ndërtesës së vjetër 40 vjeçare, megjithëse zyrtarët lokalë thanë se objekti po kryente punime në çati dhe disa riparime tjera.
Zyrtarët thanë se kompleksi i ndërtuar në vitin 1981 po kalonte në një proces të riçertifikimit që kërkonte riparime, ndërsa ngjitur me të po punohej për ndërtimin e një blloku të ri.
80 nga rreth 130 apartamentet që ka gjithesj kompleksi kishin banorë. Pothuajse gjysma e tyre u dëmtuan ose shkatërruan nga shembja. Ekipet emergjente sollën pajisje të rënda për të stabilizuar pjesën e paprekur të ndërtesës.
Kompleksi përbëhej nga apartamente me dy dhoma gjumi me një vlerë 600 deri 700 mijë dollarë. Në këtë zonë gjenden apartamente të vjetra që jepen me qera, shtëpi dhe komplekse banimi, restorante e dyqane që frekuentohen nga banorë të përhershëm dhe turistë. Në zonë jetojnë shumë imigrantë rusë, familje hebraike dhe banorë që jetojnë për disa muaj të vitit në Florida, kur duan të largohen nga zonat e ftohta në veri të vendit.
Autoritetet lokale njoftuan se disa hotele kanë ofruar strehimin e banorëve të zhvendosur dhe se po organizohen operacione për t’u dërguar ushqime e ilaçe sipas nevojave.
Facebook Forum