Lidhje

Shkon në 16 numri zyrtar i viktimave në Sërfsajd të Floridës


Katër trupa të tjerë u gjetën në rrënojat e një kulle të shembur në Florida, tha një zyrtar të mërkurën, duke e çuar numrin e të vdekurve nga kjo katastrofë në 16 persona.

Ndihmës shefi i zjarrëfikësave në qarkun Majami-Dejd, Raide Jadallah u tha të afërmëve të familjeve në një konferencë shtypi sot në mëngjes se, ekipet e shpëtimit gjetën trupat të martën në mbrëmje.

Përveç katër trupave, ekipet e shpëtimit gjetën edhe gjymtyrë trupash të tjera. Ekipet e shpëtimit arritën të ndërtonin një kalim për një vinç për të arritur zonën në majë të grumbullit të rrënojave ku nuk kishin qenë më parë, tha zoti Jadallah.

Pothuajse 150 njerëz nuk janë gjetur ende. Njoftimi për gjetjen e katër trupave erdhi një ditë pasi autoritetet e Floridës i kërkuan qeverisë federale një ekip shtesë për të ndihmuar në inspektimin e rrënojave të kullës, një kërkesë që nënvizonte natyrën e vështirë të kërkimit për të mbijetuar në një zonë të prirur për goditje të motit tropikal .

Mundësia që moti me rreshje në ditët e ardhshme të vonojë më tej operacionet e kërkim-shpëtimit të Floridës bëri që zyrtarët e shtetit të kërkojnë nga qeveria federale ndihmë shtesë, tha të martën Kevin Guthrie me Departamentin për Menaxhimin e Emergjencave në Florida.

Zoti Guthrie tha se ekipi i ri, i cili ka të ngjarë të shkojë aty nga Virxhinia, do të ishte i nevojshëm nëse moti i keq godet zonën në ditët e ardhshme dhe do të lejonte që ekipet që kanë punuar aty për ditë të tëra të ndërrohen. Autoritetet thanë se ky është ende një operacion kërkim-shpëtimi, por askush nuk është gjetur i gjallë nën rrënoja pas shembjes të enjten.

Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se dy sisteme stuhish në Atlantik kanë mundësinë të kthehen në stuhi tropikale në ditët e ardhshme, por nuk është e qartë në këtë pikë nëse ato do të përbëjnë kërcënim për Shtetet e Bashkuara.

Charles Cyrille i Zyrës së Emergjencës së qarkut Majami-Dejd tha se 900 punëtorë nga 50 agjenci federale, shtetërore dhe lokale po punonin pa ndërprerje në operacionet e kërkimit.

Zyrtarët janë zotuar të kryejnë hetime të shumta për të gjetur shkakun e shembjes së papritur të kullës 12-katëshe Champlain Towers South në Sërfsajd javën e kaluar.

Kryetarja e bashkisë së qarkut Majami-Dejd, Daniella Levine Cava tha se ajo dhe stafi i saj do të takohen me ekspertë të inxhinierisë, ndërtimit dhe gjeologjisë, për të rishikuar standartet e sigurisë së ndërtesave dhe për të dhënë rekomandime "për të siguruar që një tragjedi si kjo të mos ndodhë më kurrë."

Prokurorja e shtetit të Floridës, Katherine Fernandez Rundle tha se ajo do të ndjekë hetimet për të shqyrtuar faktorët dhe arsyet që çuan në rrëzimin e pjesshëm të ndërtesës.

Guvernatori Ron DeSantis premtoi se ashtu si në ushtri ku në fushën e betejës nuk lihet askush pas, e njëjta gjë do të bëhej për njerëzit ende të zhdukur nën rrënoja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG