Kompania e ish-presidentit Donald Trump dhe shefi i tij i financave pritet të akuzohen të enjten për krime të lidhura me taksat që e kanë bazën tek një hetim në Nju Jork për marrëdhëniet e biznesit të zotit Trump, i thanë agjencisë Associated Press njerëz që kanë dijeni për këtë çështje.
Akuzat kundër organizatës Trump dhe zyrtarit kryesor financiar të kompanisë, Allen Weisselberg, duket se përfshijnë përfitime jo-monetare që kompania u dha drejtuesve të lartë, që mund të përfshijnë përdorimin e apartamenteve, makinave si edhe mbulimin e shpenzimeve të shkollimit.
Burimet nuk ishin të autorizuara të flisnin për një hetim në proces, prandaj e dhanë informacionin në kushte anonimiteti. Wall Street Journal ishte e para media që njoftoi se akuzat priteshin të enjten.
Akuzat kundër zotit Weisselberg dhe organizatës Trump do të ishin çështjet e para penale që do të dilnin nga hetimi dyvjeçar i udhëhequr nga Prokurori i Qarkut të Manhatanit Cyrus Vance Jr, një demokrat që lë detyrën në fund të vitit.
Prokurorët kanë analizuar të dhënat e taksave të zotit Trump, kanë autorizuar dorëzimin e dokumenteve dhe kanë intervistuar dëshmitarë, përfshirë personat e rrethit të brendshëm të zotit Trump dhe drejtues të kompanisë.
Anëtarët e një jurie të madhe u përzgjodhën kohët e fundit për të shqyrtuar provat dhe Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James tha se po caktonte dy nga prokurorët e saj për të punuar me zotin Vance në hetimin penal, ndërsa ajo vazhdon një hetim civil të zotit Trump.
Associated Press u dërgoi një kërkesë për prononcim një zëdhënësi dhe një avokati të organizatës Trump. Avokatja e zotit Weisselberg, Mary Mulligan, nuk pranoi të komentojë. Zyra e prokurorit të qarkut në Manhattan nuk pranoi të komentonte.
Zëdhënësi i zotit Trump nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, por Jason Miller, një këshilltar i tij për një kohë të gjatë, hodhi poshtë akuzat duke i quajtur "politikisht shumë të dëmshme për demokratët".
"Ata u thanë besnikëve të tyre të çmendur dhe servilëve të tyre në mediat kryesore se kjo kishte të bënte me Presidentin Trump. Por në fakt, Gjuetia e tyre e Shtrigave ka në shënjestër një 80-vjeçar të pafajshëm, gabimi i vetëm i të cilit është ndoshta përfitimi nga parkimi falas!" shkruajti zoti Miller në Twitter, me sa duket duke iu referuar zotit Weisselberg, i cili është 73 vjeç.
Ish-PresidentiTrump sulmoi hetimin në një deklaratë të hënën, duke e quajtur zyrën e zotit Vance si "të pafytyrë, të keqe dhe plotësisht të njëanshme" në trajtimin e avokatëve, përfaqësuesve dhe punonjësve të kompanisë Trump.
Zoti Trump tha në deklaratë, se veprimet e kompanisë ishin "praktikë standarde në të gjithë komunitetin e biznesit në SHBA dhe në asnjë mënyrë një krim" dhe se synimi i hetimit të zotit Vance ishte të gjente “një krim".
Ish-presidenti, i cili ka qenë kritik ndaj politikave të emigracionit të Presidentit Joe Biden, kishte planifikuar të shkonte të enjten në Teksas për të vizituar kufirin SHBA-Meksikë.
Avokatët e organizatës Trump morën pjesë në një takim virtual me prokurorët e Manhatanit javën e kaluar në një përpjekje të fundit për t'i shkurajuar ata të ngrinin akuza ndaj kompaninë. Prokurorët u dhanë avokatëve një afat deri të hënën që të paraqisnin argumenta se pse nuk duhet të ngrihet padi penale.
Ron Fischetti, një avokat i organizatës Trump, i tha AP-së këtë javë se nuk kishte asnjë shenjë se vetë zoti Trump ishte përfshirë në grupin e parë të akuzave.
"Nuk ka asnjë padi që drejtohet ndaj ish-presidentit këtë javë," tha zoti Fischetti.
Zoti Weisselberg, një bashkëpunëtor besnik ndaj zotit Trump dhe babait të tij, u vendos në qendër të vëmendjes pjesërisht për shkak të pikëpyetjeve në lidhje me përdorimin nga djali i tij të një apartamenti të zotit Trump ndaj një pagese të vogël ose pa pagesë.
Allen Weisselberg ka punuar për organizatën Trump që nga viti 1973. Çështja penale kundër tij mund t'u japë prokurorëve instrumentat për t’i bërë atij presion për të bashkëpunuar dhe për t'u thënë se çfarë di për marrëdhëniet e biznesit të zotit Trump.
Prokurorët kishin thirrur një tjetër drejtues të lartë të financave të organizatës Trump, nënpresidentin e saj Jeffrey McConney, për të dëshmuar përpara jurisë së madhe në pranverë. Sipas ligjit të Nju Jorkut, dëshmitarëve të jurisë së madhe u jepet imunitet dhe nuk mund të akuzohen për veprat për të cilat dëshmojnë.
Prokurorët që kanë hetuar përfitime të pataksuara për drejtuesit e kompanisë Trump kanë ndjekur gjithashtu aktivitetin e Matthew Calamari-t, një ish-truproje i zotit Trump që është bërë shef i operacioneve të kompanisë, dhe djalin e tij, drejtorin e sigurisë të kompanisë. Sidoqoftë, një avokat për zotin Calamari dhe të birin tha të mërkurën se ai nuk priste që ndaj tyre të ngriheshin akuza.
"Megjithëse hetimi i Prokurorit të Përgjithshëm po vazhdon, unë nuk pres që në këtë kohë të ngrihen akuza kundër asnjërit prej klientëve të mi," tha avokati Nicholas Gravante.
Facebook Forum