Lidhje

Shumica e trupave të vendeve evropiane janë tërhequr nga Afganistani 


Italy Europe Afghanistan

Shumica e trupave evropiane tashmë janë tërhequr nga Afganistani, disa muaj para se të përfundojë zyrtarisht misioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Gjermania dhe Italia të mërkurën i shpallën të përfunduara misionet e tyre në Afganistan dhe trupat e fundit të Polonisë u kthyen në vend, duke i dhënë fund pa bujë angazhimit të tyre, gati 20 vjet pas arritjes së ushtarëve të parë perëndimorë në këtë rajon.

Njoftimet nga disa vende të analizuara nga agjencia e lajmeve Associated Press tregojnë se shumica e trupave evropiane tashmë janë larguar pa bujë të madhe krahasuar me shfaqjen dramatike dhe publike të forcës dhe unitetit kur aleatët e NATO-s u rreshtuan përkrah Shteteve të Bashkuara në operacionin kundër al-Kaidës, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Në dekadat pasuese, lufta kaloi nga një mision në tjetrin. Administrata e ish-presidentit amerikan George W. Bush u tërhoq nga angazhimi intensiv i ndërtimit të shtetit dhe Kombet e Bashkuara mbrojtën angazhimin e tyre të lehtë. Por me kalimin e viteve, trupat e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara morën role më të mëdha në zhvillimin e Forcave të Sigurisë Kombëtare dhe atyre të Mbrojtjes në Afganistan dhe në trajnimin e policisë së këtij vendi. Në kulmin e luftës, numri i ushtarëve amerikanë dhe atyre të vendeve të tjera të NATO-s arriti në mbi 150,000.

NATO ra dakord në prill të tërhiqte afërsisht 7,000 trupa të saj jo-amerikane nga Afganistani dhe me vonë u përball me vendimin e Presidentit amerikan Joe Biden për tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga vendi, duke filluar nga 1 maji.

Presidenti Biden vendosi 11 shtatorin si afat për tërheqjen e plotë të trupave amerikane. Por kohët e fundit, zyrtarët amerikanë kanë thënë se tërheqja ka shumë të ngjarë të përfundojë më 4 korrik, dhe shumë aleatë kanë marrë masa për të përfunduar praninë e tyre në këtë kohë.

NATO nuk pranoi të jepte hollësi të mërkurën mbi atë se sa vende akoma kanë trupa në misionin e saj në Afganistan. Por, sipas një analize të deklaratave të 19 qeverive, më shumë se 4800 ushtarë jo-amerikanë janë tërhequr nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar të japin shifra mbi tërheqjen e trupave, por kur Presidenti Biden njoftoi afatin për tërheqjen përfundimtare, mes 2,500 dhe 3,500 trupa amerikane ishin të dislokuara në Afganistan.

Gjermania njoftoi tërheqjen ushtarake pa shumë bujë, menjëherë pasi 250 ushtarët e fundit gjermanë u transferuan mbrëmjen e së martës nga baza e tyre në veri të Afganistanit.

“Pas afro 20 vitesh dislokimi, ushtarët e fundit gjermanë janë larguar nga Afganistani këtë mbrëmje”, tha Ministrja gjermane e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer përmes një deklarate në rrjetin Twitter. “Ata janë rrugës për në atdhe. Mbyllet një kapitull historik, një dislokim intensiv që sfidoi dhe i dha formë ushtrisë gjermane, në të cilin ushtria gjermane e provoi veten në luftime”, shkroi ajo.

Sipas ushtrisë gjermane, gjatë shërbimit në Afganistan, Gjermania humbi 59 trupa, 39 prej tyre në beteja ose sulme me kryengritësit. “Ju nuk do të harroheni”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes ndërsa nderoi të vrarët dhe të plagosurit gjatë shërbimit në Afganistan.

Në prill, kur Presidenti Biden njoftoi tërheqjen nga Afganistani, Gjermania ende kishte atje 1,100 ushtarë. Ata ishin pjesë e një misioni ushtarak jo-luftarak të udhëhequr nga NATO-ja, të ngarkuar për të trajnuar, këshilluar dhe ndihmuar ushtarët afganë që luftojnë me kryengritësit talebanë.

Tërheqja e trupave gjermane pasoi tërheqjen e trupave nga një numër vendesh të tjera evropiane. Trupat e fundit të Polonisë të tërhequra nga Afganistani u përshëndetën të mërkurën nga Ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak. Rreth 33,000 trupa polake kanë shërbyer në Afganistan gjatë 20 viteve të fundit.

Trupat e fundit italiane nga baza e Italisë në Herat arritën në aeroportin ushtarak në Pisa të martën vonë. Italia zyrtarisht njoftoi përfundimin e misionit të saj në Afganistan të mërkurën, me Ministrin e Mbrojtjes Lorenzo Guerini duke bërë homazhe për 53 italianët që vdiqën dhe 723 të tjerë që u plagosën gjatë dy dekadave të fundit.

Trupat e fundit të Gjeorgjisë u kthyen në vend të hënën, ndërsa Rumania tërhoqi 140 trupat e saj të mbetur të shtunën. Edhe Norvegjia përfundoi tërheqjen e trupave të saj nga Afganistani të shtunën. Trupat nga Danimarka, Estonia dhe Holanda gjithashtu u kthyen në vendet përkatëse javën e kaluar. Spanja tërhoqi trupat e saj të fundit më 13 maj, Suedia më 25 maj dhe Belgjika më 14 qershor. Edhe kontingjentet e vogla të dislokuara nga Portugalia, Republika Çeke, Sllovenia, Finlanda, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Luksemburgu janë tërhequr plotësisht nga Afganistani.

Komandanti amerikan i trupave të huaja në Afganistan tha të martën se ishte thellësisht i shqetësuar për përkeqësimin e situatës së sigurisë. Gjenerali Austin Scott Miller, i cili po mbikqyr tërheqjen e trupave, u tha gazetarëve në kryeqytetin Kabul të Afganistanit se situata e përgjithshme e sigurisë "nuk është e mirë". Ai tha se zgjerimi i territoreve nën kontrollin e kryengritësve përbënte shqetësim.

Projekti për Koston e Luftës i Universitetit Brown vlerësoi në muajin prill të këtij viti se lufta në Afganistan u kishte marrë jetën 241,000 njerëzve, përfshirë më shumë se 2,400 ushtarë amerikanë dhe i ka kushtuar Shteteve të Bashkuara deri më tani 2.26 trilionë dollarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG