Lidhje

Junta e Mianmarit, hapa për t'u afruar me Rusinë, duke balancuar lidhjet me Kinën


Vendimi i udhëheqësit të juntës së Mianmarit, Min Aung Hlaing për të vizituar Rusinë përpara Kinës që është vendi fqinj, nxjerr në pah marrëdhëniet më të mira të ushtrisë së tij me Moskën dhe shpreson të tërheqë Kremlinin më pranë për të shmangur mbështetjen vetëm tek Pekini, thonë analistët.

Min Aung Hlaing vizitoi Rusinë javën e kaluar për një konferencë ndërkombëtare treditore të sigurisë.

Kina dhe Rusia kanë qenë aleatët më të fuqishëm të juntës që kur ushtria, ose Tatmadaw, rrëzoi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Mianmarit katër muaj më parë. Mes kritikave ndërkombëtare të shtypjes së përgjakshme të protestave paqësore nga ushtria, Pekini dhe Moska kanë bllokuar përpjekjet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të bërë presion ndaj juntës për t'u tërhequr. Të dyja vendet janë gjithashtu furnizuesit kryesorë të armëve të Mianmarit.

Si vend fqinj, Kina ka lidhje shumë më të vjetra, më të thella dhe të ndërlikuara me Mianmarin. Pekini është partneri kryesor tregtar i vendit dhe një investitor i madh. Myanmari gjithashtu figuron si një vend i rendësishëm në Nismën Një Brez Një Rrugë të Pekinit, duke i ofruar Kinës një dalje të re për në Oqeanin Indian dhe furnizime të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme.

Në vend që ta bënte Pekinin ndalesën e tij të parë jashtë Azisë Juglindore që nga grushti i shtetit, Min Aung Hlaing shkoi në Moskë më 20 qershor për konferencën e sigurisë. Vizita përfshiu takime me Ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Sekretarin e Këshillit të Sigurimit Nikolai Patrushev.

Analistët që i ndjekin nga afër veprimet e Mianmarit, nuk habiten nga zgjedhja.

"Mbështetja e Moskës për regjimin e ri ka qenë e qartë dhe shefit të juntës iu sigurua një pritje e ngrohtë nga një fuqi e madhe ndërkombëtare dhe iu dha mundësia për të diskutuar zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak dhe ekonomik", tha Anthony Davis, një analist i sigurisë me bazë në Bangkok.

"Marrëdhënia me Kinën ka qenë shumë më problematike, duke pasur parasysh pakënaqësinë e Pekinit me kaosin e shkaktuar nga grushti i shtetit dhe dyshimin e juntës mbi qëllimet kineze dhe mbështetjen për grupe të caktuara kryengritëse etnike," tha analisti Davis.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG