Lidhje

Presidenti Biden dhe Zonja e Parë vizitojnë Floridën


Biden
Biden

Presidenti amerikan Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden po vizitojnë zonën Sërfsajd në Florida, të enjten, ku operacionet e kërkim-shpëtimit u ndërprenë gjatë natës në vendin e një ndërtese pjesërisht të shembur.

Presidenti dhe zonja e Parë mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Majamit në bordin e avionit Air Force One pasi u larguan nga Shtëpia e Bardhë të enjten herët në mëngjes.

Në një konferencë shtypi të enjten, kryebashkiakja e Qarkut Majami-Dejd Daniella Levine Cava shpjegoi arsyet për marrjen e vendimit për të ndaluar përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit.

“Ne u detyruam të ndalojmë operacionet në orët e para të mëngjesit për shkak të shqetësimeve në lidhje me strukturën e mbetur. Po bëjmë gjithçka që mundemi për të garantuar sigurinë e punonjësve të përgjigjes emergjente dhe për të vazhduar operacionet e kërkimit dhe shpëtimit sa më shpejt që të jetë e mundur, "tha Levine Cava.

Shefi i Zjarrëfikësve të qarkut Majami-Dejd, Alan Cominsky theksoi natyrën e rrezikshme të përpjekjeve që kanë vazhduar ditë e natë për të gjetur të gjallë poshtë rrënojave dhe shpjegoi nevojën për të pezulluar përpjekjet e kërkim-shpëtimit.

"Në anën jugore, pranë këndit verior dhe jugor të ndërtesës, struktura mund të shkaktojë dështime shtesë në ndërtesë", tha ai në konferencën për shtyp të enjten.

Ndalimi vjen në të njëjtën ditë kur ekipet dhe familjarët e personave të zhdukur janë planifikuar të takohen me Presidentin Joe Biden në një vizitë që shumë shpresuan se do të siguronte një farë qetësie për një komunitet të tronditur nga katastrofa.

Presidenti Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden falënderuan sot ekipet e reagimit të shpejtë dhe ato të kërkim-shpëtimit. Ata gjithashtu do të takohen me familjet e viktimave, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Vizita e presidentit vjen një javë një ndërtesë 12-katëshe në Surfside, papritmas u rrëzua, duke lënë pas rrënoja.

Ekipet e kërkimit gjetën eshtrat e gjashtë personave të mërkurën, duke e çuar numrin e të vdekurve të konfirmuar në 18. Numri i banorëve të pagjendur është 145 persona.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG