Lidhje

SHBA, akuza ndaj 4 personave për sulm kundër medias gjatë sulmit ndaj Kapitolit 


A man (center in black coat) identified by U.S. federal prosecutors as Shane Jason Woods of Auburn, Illinois. is seen in a frame grab from video shot during the Jan. 6, 2021 assault on the U.S. Capitol, moments before attacking members of the news media.

Autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit në ditët e fundit kanë ngritur akuza ndaj katër personave për shkelje të ndryshme që kishin në shënjestër gazetarët, duke përfshirë vjedhje dhe shkatërrim të pajisjeve dhe kamerave të tyre, ndërsa gazetarët po mbulonin sulmin e 6 janarit në Kapitol.

Më shumë se 500 nga rreth 800 personat që kapërcyen kordonin e sigurisë në përpjekjen për të hyrë në Kapitol gjatë kaosit që ndodhi ndërsa ligjvënësit po çertifikonin fitoren në Kolegjin Zgjedhor të demokratit Joe Biden janë akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë sulme ndaj policisë.

Por arrestimet e fundit mund të jenë të parat në të cilat të dyshuarit akuzohen për shënjestrim të gazetarëve ose për përpjekjen për të shkatërruar pajisjet e tyre ndërsa ata raportonin për dhunën. Pesë persona vdiqën gjatë sulmit në Kapitol, duke përfshirë një protestuese, e cila u qëllua për vdekje nga policia.

Pjesa më e madhe e trazirave të asaj dite u regjistrua nga kamerat e sigurisë në Kapitol ose nga vetë protestuesit, të cilët mburreshin me praninë e tyre në selinë e Kongresit dhe postuan klipe në mediat sociale.

Në një incident në fillim të sulmit, autoritetet federale akuzuan 43 vjeçarin Shane Jason Woods nga qyteti i Auburnit në shtetin e Ilinoit, për rrëzimin e një policeje të Kapitolit dhe për shtyrjen e saj ndërsa ajo po ndiqte një protestues tjetër që e kishte e spërkatur atë me një substancë kimike.

Autoritetet pretendojnë se më vonë në të njejtën ditë, Woods u shfaq ndërsa një turmë e madhe u mblodh në një zonë ku ishin vendosur gazetarët. Disa u bërtitën dhe i pështynë gazetarët. Prokurorët thanë se Woods "u ngjit mbi gardhin e rrëzuar dhe mori pjesë në sulmin ndaj pajisjeve mediatike".

Sipas zyrës së Prokurorit në Uashington, "Woods mund të shihet duke ecur mbi grumbullin me pajisje të medias dhe duke kapur e flakur disa prej tyre". “Ai gjithashtu shihet duke ecur afër një kameramani. Siç mund të shihet në një video të disponueshme për publikun, Woods më pas e shtyu kameramanin, duke e rrëzuar atë dhe kamerën e tij.”

Në një incident tjetër, autoritetet ngritën akuza ndaj Sandra Pomeroy Weyer-it nga Mekanisburgu i Pensilvanisë për filmimin dhe talljen e një fotoreportereje të gazetës New York Times ndërsa katër ose pesë persona të tjerë po e ngacmonin atë, ia morën aparatin fotografik dhe e shtynë.

Protestat në Kapitol
Protestat në Kapitol

Fotoreporterja u tha autoriteteve se protestuesit u zemëruan kur mësuan se ajo punonte për gazetën New York Times, e shtynë duke e rrëzuar dhe i morën njërin nga aparatet e saj fotografike. Sipas një deklarate të FBI-së për këtë rast, ajo i ndoqi ata dhe e shtynë për herë të dytë.

Hetuesit thonë se Weyer mund të dëgjohet në një video të incidentit duke bërtitur se fotografja ishte tradhtare që duhej "nxjerrë përjashta".

Weyer përballet me akuzat për hyrje të paligjshme në Kapitol, pengim të procedurave të qeverisë dhe përfshirje në akte të prishjes së rendit ose akte kërcënuese ndërsa ishte brenda ndërtesës.

Në një nga dy rastet e tjera, autoritetet akuzuan 31 vjeçarin Zvonimir Joseph Jurlina nga Nju Jorku për ndihmën që u ka dhënë protestuesve në shkatërrimin e pajisjeve të mediave me vlerë prej 30,000 deri 34,000 dollarësh.

Në rastin e katërt, autoritetet akuzuan Gabriel Morgan Brown-in nga qyteti i Bejvillit, i shtetit të Nju Jorkut, për shkeljen e pajisjeve mediatike në zonën ku ishin vendosur gazetarët dhe inkurajimin e të tjerëve për t’i vjedhur dhe shkatërruar ato.

FBI-ja tha se Brown shihet në pamjet filmike duke sharë me fjalë të ulëta mediat kryesore që mbulonin sulmin në Kapitol.

"Media tradicionale ka vdekur", thoshte ai, midis talljeve të tjera që kishin në shënjestër gazetarët.

Më vonë, FBI tha se Brown mori një megafon dhe brohoriti drejt Kapitolit: "Na vodhët Senatin. Na vodhët Dhomën e Përfaqësuesve. Dhe tani mendoni se do na vidhni presidencën? Më lejoni t'ju them diçka - doni të na hiqni të drejtën e revolucionit paqësor? Më mirë përgatituni për revolucion të dhunshëm”, thoshte ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG