Lidhje

Të paktën 43 migrantë mbyten në brigjet e Tunizisë 


Varrezat për migrantët, Tunizi
Varrezat për migrantët, Tunizi

Të paktën 43 migrantë u mbytën në brigjet e Tunizisë të shtunën dhe 84 të tjerë u shpëtuan pasi anija e tyre u përmbys gjatë natës, tha Gjysmëhëna e Kuqe e Tunizisë.

Kreu i organizatës, Mongi Slim, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se anija, e cila transportonte 127 migrantë, u nis nga qyteti bregdetar i Libisë, Zuwara, të premten për të kaluar Detin Mesdhe drejt Italisë. Ai tha se 46 sudanezë, 16 eritreanë dhe 12 bengalë-ezë ishin mes migrantëve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Mohamed Zekri, tha se 84 migrantë u shpëtuan nga peshkatarët. Ai nuk pranoi të konfirmonte mbytjen e migrantëve të tjerë.

Në raste të shumta, Libia shërben si pikë nisjeje për migrantët që bëjnë udhëtimin e rrezikshëm përmes Detit Mesdhe. Javët e fundit janë mbytur disa anije të trafikantëve që transportojnë migrantë, ndërsa shtohen përpjeket e migrantëve për të shkuar drejt Evropës gjatë stinës së nxehtë të verës.

Një javë më parë, rojet bregdetare tuniziane gjetën shtatë trupa në bregdetin e ishullit Djerba. Ata u dërguan në Zarzis të Tunizisë, tek varrezat për migrantët të cilët janë mbytur në Detin Mesdhe.

Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe lëshoi ndërkohë një thirrje urgjente në lidhje me fatin e qindra migrantëve që i shpëtuan vdekjes duke thënë se organizata e tij nuk ka asnjë mënyrë për t’u siguruar strehë.

“Të tre qendrat në Zarzis janë plot dhe nuk mund të strehojnë njerëz të tjerë. Kemi gjithashtu 380 migrantë të tjerë në Djerba dhe nuk kanë se ku të shkojnë”,tha zoti Mongi Slim, i cili drejton Gjysmëhënën e Kuqe të Tunizisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG