Lidhje

Shtëpia e Bardhë feston marrëveshjen e rëndësishme mbi taksat globale ndaj biznesit


Administrata Biden ka përshëndetur atë që Sekretarja e Thesarit Janet Yellen e quajti një moment historik në "diplomacisë ekonomike", pasi 130 vende që përfaqësojnë 90 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të botës ranë dakord në parim për një normë minimale globale takse mbi korporatat.

Në bazë të marrëveshjes, vendet sigluese, ndër to edhe Kina, Rusia, India dhe çdo vend anëtar i G-20s, bien dakord të vendosin një taksë minimale prej të paktën 15% ndaj korporatave, që synon të parandalojë përpjekjet e disa vendeve për të joshur kompanitë duke vendosur norma të ulëta të taksave.

"Asnjë komb nuk e ka fituar këtë garë", tha Yellen në një deklaratë të lëshuar të enjten. “Një nivel më i ulët i taksave jo vetëm që nuk ka arritur të tërheqë biznese të reja, por ka privuar vendet nga fondet për investime të rëndësishme si infrastruktura, arsimi dhe përpjekjet për të luftuar pandeminë. Në Shtetet e Bashkuara, kjo marrëveshje do të sigurojë që korporatat të mbajnë përsipër një pjesë të drejtë të kësaj barre (financiare)".

Roli udhëheqës amerikan, çelësi i marrëveshjes

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) ka luftuar që nga viti 2013 për të arritur një marrëveshje që do të racionalizonte trajtimin e taksave nga korporatat globale në të gjithë botën. Qëllimi ka qenë gjithmonë për të siguruar ato qindra miliarda dollarë të ardhura nga taksat, që ekspertët thonë se qeveritë i humbasin çdo vit për shkak të strategjive të koorporatave për t’iu shmangur detyrimeve fiskale.

Por gjatë viteve të mëparshme ky plan pothuajse ishte bllokuar.

"Është tërësisht e drejtë të thuash që administrata Biden i dha një shtytje përpara”, thotë Daniel Bunn, nënpresident i Projekteve Globale në Fondacionin e Taksave, një organizatë e hartimit të politikave me prirje konservatore në Uashington.

"Vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, gjërat në thelb ishin në një ngërç", tha ai. Administrata Trump nuk ishte plotësisht dakord me planin për të vendosur një taksë minimale globale. Sipas zotit Bunn "administrata e Presidentit Biden e rimori në dorë çështjen dhe investoi shumë kapital politik në të për të bindur vendet e tjera se ishte e nevojshme të nënshkruhej një gjë e tillë".


Çfarë siguron marrëveshja?

Ndërsa shumë nga detajet mbetet ende për t'u negociuar, ideja themelore e marrëveshjes është që kompanitë të paguajnë të paktën disa taksa mbi fitimet në vendet ku konsumohen produktet dhe shërbimet e tyre, në vend që t’i shpërndajnë të gjitha fitimet e tyre tek ato degë të tyret me seli në vendet që njihen si parajsa tatimore.

Sipas propozimit do të vendosej një sistem për caktimin e një pjese të tatueshme të fitimeve në vendet ku blihen mallrat ose shërbimet e një kompanie si dhe vendosjen e një normë tatimore prej të paktën 15% mbi ato fitime.

Më tej, në kushtet kur ka vende që zgjedhin të zbatojnë një normë më të ulët takse e biznese që zgjedhin t’i zhvendosin për këtë shkak disa operacione atje, propozohet që vendet e tyre të origjinës t’u vendosin atyre taksa shtesë, për të arritur në nivelin e 15%.

Objektivi është të bëhet më e vështirë ose e pamundur që vendet e ndryshme, duke përdorur norma të reduktuara të taksave si karrem, të ndikojnë tek vendimet e kompanive se ku t’i vendosin selitë apo të zhvillojnë operacionet e tyre. Ideja është që nëse nuk ka asnjë avantazh tatimor që mund të sigurohet falë lëvizjes në një vend specifik, vendime të tilla do të merreshin më shumë në bazë të nevojave të biznesit sesa nivelit të taksave.

Përgëzime të parakohshme?

Gjatë një konferencë në Shtëpinë e Bardhë të premten, Brian Deese, drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar, e lidhi marrëveshjen me një përpjekje të administratës Biden për të rritur normën e taksës së korporatave dhe për të zbatuar reforma të tjera.

Marrëveshja e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, tha ai, krijon një "moment për të miratuar një reformë taksash ndaj korporatave në Shtetet e Bashkuara, që do të ndihmonte për të përmirësuar konkurrencën amerikane, duke e bërë atë më tërheqëse për të investuar këtu në Shtetet e Bashkuara, në vend të zhvendosjes së prodhimit dhe fitimeve në vende me taksa më të ulëta. Gjithashtu do të siguronte mbledhjen e të ardhura që ne mund t'i investojmë në masa të madhe për rritjen e produktivitetit, si për shembull në arsimin parashkollor falas”.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë nxitoi për ta shpallur marrëveshjen e arritur të enjten si triumf, ka nga ata që janë më pak emocionalë duke i kushtuar vëmendje momentit të zbatimit të marrëveshjes.

Sfida të tjera

"Një pengesë e madhe, e cila nuk u vërejt shumë në njoftimet në shtyp, është fakti themelor që organet ligjvënëse në vendet demokratike e konsiderojnë veten si autoriteti për hartimin e ligjeve tatimore", thotë Gary Hufbauer, anëtar i institutit Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare, i cili ka luajtur më parë role të rëndësishme në Departamentin e Thesarit lidhur me taksat ndërkombëtare.

Në Shtetet e Bashkuara në veçanti thotë ai "anëtarët e Kongresit mendojnë se i hartojnë ligjet mbi taksat dhe nuk do ta përshëndesnin çfarëdo marrëveshjeje për të cilën sekretarja Yellen mund të ketë rënë dakord".

Kjo vlen edhe për Bashkimin Evropian, ku për të gjitha ligjet mbi taksat që zbatohen në të gjitha vendet e bllokut, duhet të miratohen me mbështetje unanime. Disa anëtarë të BE-së, përfshirë Irlandën, Hungarinë, Estoninë dhe Qipron, nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen e njoftuar këtë javë dhe mund të mos bien dakord të jenë pjesë e saj në të ardhmen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG