Lidhje

Puna e vështirë e identifikimit të viktimave në Florida 


Ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë me kujdes për të hequr shtresë pas shtrese mbetjet e ndërtesës me 12 kate që u shemb në Floridën e jugut më 24 qershor.

Ndërkohë që rritet numri i trupave të gjetur, shtohet edhe presioni mbi ekspertët mjeko-ligjorë dhe specialistët e tjerë për të identifikuar trupat. Nevoja për t’u dhënë përgjigje familjarëve të dëshpëruar duhet balancuar me rregulloret rigoroze të analizave për konfirmimin e identitetit.

Askush nuk është gjetur gjallë që kur u nxorën disa të mbijetuar pak orë pas shembjes së ndërtesës. Deri tani 27 vetë janë konfirmuar të vdekur. Shpesh, ekipet kanë detyrën e vështirë të bëjnë identifikime jo të trupave të viktimave, por mbetje të tyre.

“Në fakt nuk po gjejmë viktima, por copa trupash”, thotë shefi i shërbimeve zjarrfikëse për Majamin, Raide Jadallah, në komente që u pasuan me psherëtima plot dhimbje nga të afërmit e të pagjeturve të mbledhur në një hotel pranë zonës së kërkimeve.

115 vete ende figurojnë të pagjetur, një shifër tepër e lartë për kapacitetet e zyrës së mjekut ligjor në Florida. Qeveria federale ka dërguar pesë specialistë për të ndihmuar me analizat e ADN-së. Mund të dërgohen edhe ndihma të tjera, tha Jason Byrd, komandant i Operacioneve të Përgjigjes për Situata me Viktima Fatale në Florida.

Building Collapse Miami Human Remains
Building Collapse Miami Human Remains

Mjeku ligjor ka hasur deri tani në disa probleme. Kur patologët po përpiqeshin ta dërgonin trupin e një gruaje në një qendër funeralesh, u kuptua se kishte pasur probleme teknike me analizat e ADN-së, gjë që bëri të domosdoshme që trupit t’i merrej një gisht për ta dërguar me ngut në laborator për të vërtetuar identitetin, konfirmoi për agjencinë e lajmeve Associated Press një zyrtar, duke kërkuar të mbetej anonim pasi nuk ishte i autorizuar të fliste për incidentin.

Koha që ka kaluar që nga shembja i komplikon gjërat, pasi, siç shpjegojnë ekspertët, analizat e ADN-së bëhen më problematike dhe ka më shumë gjasa që të dalin me rezultate falso në konfirmimin e identitetit pasi fillon dekompozimi i trupave.

Mënyra se si u shemb ndërtesa, duke i bërë të 12 katet petë mbi njëri-tjetrin e bën deri diku punën e pastrimit më të thjeshtë, pasi ekipet kanë filluar nga sipër dhe pastrojnë drejt shtresave të poshtme.

“Po heqin një nga një shtresat horizontale, duke kërkuar e gjetur personat që janë në çdo shtresë/kat,” shpjegon Dennis Dirkmaat, pedagog i departamentit të shkencave të mjekësisë ligjore në Universitetin Mercyhurst. “Dihet saktë ku ndodhet secili në çdo kat. Pra trupat gjenden në katet dhe apartamentet përkatëse”.

Building Collapse Miami
Building Collapse Miami

Kolonel Lejtnanti Oz Gino, komandant i ekipit të kërkimit-shpëtimit të ardhur nga Izraeli për ndihmë, tha se ekipi i tij ka përdorur planimetrinë e ndërtesës për të krijuar me kompiuter imazhe të detajuara 3-dimensionale për të ndihmuar kërkimet. Ata kanë të dhëna specifike në imazhe, si për shembull njerëzit që flinin në secilën dhomë, pasi shembja ndodhi gjatë natës.

Ritmet e gjetjes së viktimave kanë ecur ngadalë, pasi operacionet kanë qenë të përqendruaranë nxjerrjen e personave që mund të ishin ende gjallë nën rrënoja. Zyrtarisht, operacioni vazhdon i fokusuar në gjetjen e personave që mund të jenë gjallë dhe pritet që pas disa ditësh të shpallet si përpjekje thjesht kërkimesh.

Shumë nga banorët e ndërtesës ishin hebrenj dhe punonjësit në rrënoja po përpiqen të tregojnë respekt për objektet dhe mënyrën se si e trajtojnë zonën e kërkimeve.

Në bazë të fesë hebraike, trupi i plotë, së bashku me gjymtyrët, gjakun dhe indet duhet të përgatitet me rituale për varrim. Trupi nuk duhet të kalojë një natë pas vdekjes, por duhet varrosur brenda 24 orësh.

Zoti Jadallah tha se ekipet po këshillohen me një rabin për të garantuar se po bëhen ritualet e duhura fetare.

Mjeku ligjor ka respektuar kërkesën e disa familjarëve për të mos bërë autopsi në disa raste, pasi feja hebraike nuk e lejon. Autopsitë nuk janë të detyrueshme në rast të vdekjeve aksidentale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG