Lidhje

Hong Kong, 9 nën arrest për komplot terrorist


Policia e Hong Kongut njoftoi të martën se ka arrestuar nëntë persona nën dyshimet për përfshirje në aktivitet terrorist, pasi kishte zbuluar një përpjekje për të prodhuar lëndë plasëse e bomba në disa pika të qytetit.

Arrestimet ndodhin në një klimë politike të acaruar, dy vjet pas protestave pro-demokracisë që vazhduan muaj me radhë. Arrestimet u kryen një vit pas Pekini vendosi ligjin e ashpër për sigurinë në këtë ishull që e konsideron si pjesë të Kinës.

Ndër nëntë të arrestuarit, gjashtë janë nxënës shkolle. Sipas pretendimeve të policisë, grupi po përpiqej të prodhonte lëndë plasëse në një laborator të improvizuar.

Policia tha se të ndaluarit kishin në plan ta përdornin eksplozivin për të hedhur në erë gjykata, tunele nënujore, si dhe në kosha plehrash për të
“rritur në maksimum dëmin e shkaktuar ndaj shoqërisë”.

Ndër të arrestuarit pesë janë djem dhe katër vajza, nga mosha 15-39 vjeç, sipas një zyrtari të policisë.

Autoritetet thanë se kishin gjetur aparatura dhe lëndë të parë për prodhimin e eksplozivëve, si dhe manuale dhe një sasi parash.

Policia ngriu zotërime që ata thonë se kishin lidhje me komplotin. Sipas autoriteteve, grupi i ndaluar kishte në plan të largohej përfundimisht nga Hong Kongu pasi të kryenin sulmet.

Shefja ekzekutive e Hong Kongu, Carrie Lam tha në një konferencë për shtyp se shpreson që pjesëtarët e shoqërisë “do t’i dënojnë haptazi kërcënimet e dhunës”.

Carrie Lam
Carrie Lam

Zonja Lam tha se një zarf me “pluhur të bardhë” ishte dërguar në zyrën e saj. Policia tha të martën se substanca po analizohej por nuk besohet se është e rrezikshme.

Në dhjetor 2019, autoritetet çaktivizuan dy bomba në një shkollë katolike në Hong Kong. Një bombë me telekomandë shpërtheu pranë një makine policie në 2019, në kohën kur vazhdonin protestat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG