Lidhje

Pakti tregtar i Azisë i afron me Kinën aleatët e SHBA-së


Ekspertët amerikane të tregtisë po vëzhgojnë me kujdes efektet e një prej pakteve më të mëdha në botë të tregtisë së lirë, ndërsa ai po shkon ngadalë drejt ratifikimit duke i bërë disa nga aleatët më të afërt aziatikë të Uashingtonit pjesë të një blloku ekonomik që përfshin Kinën, por që lë mënjanë Shtetet e Bashkuara.

Analistët në Australi dhe Zelandën e Re, dy vende nënshkruese të atij që njihet si Partneriteti Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal, ose PEGJR, ​ndajnë mendime të ndryshme mbi marrëveshjen, duke argumentuar se ajo ofron si përfitime ashtu edhe sfida për Shtetet e Bashkuara.

Nënshkruar në nëntor 2020, pas tetë vitesh negociata, PEGJR bën bashkë të 10 anëtarët e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) si dhe Australinë, Kinën, Japoninë, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut. Së bashku këto vende përbëjnë rreth 30 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në nivel global.

Kina, Japonia dhe dy vende të ASEAN-it e kanë ratifikuar tashmë paktin. Por që të hyjë në fuqi, duhet të ratifikohet edhe nga katër anëtarë të tjerë të shoqatës si dhe një vend tjetër joanëtar i ASEAN-it.

Negociatat për PEGJR-në u lanë në hije për një kohë të gjatë nga bisedimet e mbështetura nga Uashingtoni mbi Partneritetin e Trans-Paqësorit ose PTP, një marrëveshje tregtare rivale e cila do të përfshinte Shtetet e Bashkuara dhe disa nga fqinjët e saj të hemisferës perëndimore, ndërsa përjashtonte Kinën.

Por falë kundërshtimit të çdo marrëveshjeje të re të tregtisë së lirë në diskutimet që po zhvilloheshin me intesitet në Uashington, ish-Presidenti Donald Trump nxori SHBA-në nga PTP-ja, duke i hapur rrugën përpara Partneritetin Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal.

"Ndikimi për Shtetet e Bashkuara është i qartë", thotë Patrick Quirk drejtor i Institutit Ndërkombëtar Republikan dhe një bashkëpunëtor jorezident në programin e politikës së jashtme të Institutit Brookings me qendër në Uashington.

"PEGJR-ja mund të ofrojë përfitime për Kinën", tha zoti Quirk në një intervistë. "Pekini padyshim do të mbështesë ndërvarësinë ekonomike në rritje duke ndikuar mbi disa aleatë rajonalë të SHBA-së".

Zoti Quirk shtoi se PEGJR-ja "e dobëson avantazhin relativ ekonomik të Uashingtonit ndaj vendeve anëtare".

Por disa analistë me bazë në Azi thonë se frika amerikane rreth marrëveshjes (PEGJR) mund të jetë e mbivlerësuar.

PEGJR-ja mund të nxisë që një përqindje edhe më e ulët e tregtisë së vendeve pjesë e këtij pakti, të bëhet jashtë bllokut, përfshirë edhe SHBA-në", thotë Jeffrey Wilson, drejtor i kërkimeve në Qendrën Perth për SHBA-Azinë në Australi.

Por thotë ai “PRGJR-ja i shërben SHBA-së duke mbështetur integritetin e sistemit global të tregtisë. Ndërsa administrata e Biden kërkon të mbrojë sistemin e bazuar në rregulla të tregtisë nga kërcënimet e shfaqura, pakti tregon se qeveritë e Indo-Paqësorit janë të përkushtuara ndaj së njëjtës axhendë".

Shiro Armstrong, drejtor i Qendrës Kërkimore për Australi-Japoninë në Universitetin Kombëtar Australian, ofroi një qasje të ngjashme, duke thënë se pakti do të kishte "rezultate të ndryshme" për Shtetet e Bashkuara.

"Është e vështirë të thuash që Shtetet e Bashkuara do të jenë humbësi i madh, pasi është më e komplikuar se aq”, tha ai për “Zërin e Amerikës”. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë në një situatë relativisht më të vështirë në disa tregje, por PEGJR-ja do të ndihmonte në mbajtjen e tregjeve në këtë pjesë të botës të hapura, në një kohë kur proteksionizmi është në rritje.

Jane Kelsey, profesore në Universitetin e Auckland-it në Zelandën e Re, argumentoi se ish-Presidenti Barack Obama nxiti "shumë keqkuptime" në lidhje me PEGJR-në dhe potencialin e saj për të rritur ndikimin kinez, në një përpjekje për të avancuar Partneritetin e Trans-Paqësorit, pavarësisht kundërshtive.

Por shumë nga Zelanda e Re ishin më të shqetësuar për ndikimin e tepruar të SHBA-se thotë zonja Kelsey. “Në Zelandën e Re janë zhvilluar protesta masive kundër PTP-së dhe praktikisht nuk kishim asnjë kundër PEGJR-së".

Senatori australian Eric Abetz tha për “Zërin e Amerikës” se aleatët e SHBA-së në rajon menduan se nuk e kishin luksin të mos ishin pjesë e Partneritetit Ekonomik Githëpërfshirës Rajonal, por thanë se do ta bënin këtë me kujdes.

"Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë miku dhe aleati ynë më i rëndësishëm strategjik dhe kjo nuk do të ndryshojë, por duke qenë në këtë anë të botës, është e kuptueshme për ne që të jemi pjesë e një blloku tregtar shumë të rëndësishëm", tha ai.

"Disa e shohin PEGJR-në si një marrëveshje që avancon potencialisht pozitat e Kinës dhe kjo është diçka që ne do ta monitorojmë nga afër", shtoi ai.

XS
SM
MD
LG