Lidhje

Florida: 14 ditë nga shembja e objektit të banimit, asnjë shenjë për të mbijetuar


Kërkimet për viktima, pasojë e shembjes së një godine në zonën e Majemit, hynë të mërkurën në ditën e 14-të. Autoritet njoftuan sot se kishin gjetur nën rrënoja edhe 10 trupa të tjerë, gjë që e çoi numrin e viktimave në 46 ndërsa me dhjetra të tjerë nuk janë gjetur ende. Shpresat e autoriteteve për të gjetur të mbijetuar janë venitur pothuajse fare.

Sipas zyrtarëve nga vendngjarja janë "hequr sasi të konsiderueshme mbeturinash të godinës së shembur” dhe ekipet kanë arritur të futen në pjesë të ndryshme të saj për të inspektuar.

Ekipet e kërkimit nuk kanë gjetur shenja për të mbijetuar dhe megjithëse autoritetet thanë se misioni i tyre vazhdonte të ishte i orientuar drejt gjetjes gjallë të njerëzve që rezultojnë të zhdukur, komentet e tyre tingëlluan edhe më shumë pesimiste.

"Tani për tani, ne po vazhdojmë me operacionin e kërkim-shpëtimit", tha drejtori i policisë së qarkut Majemi Dejt Freddy Ramirez, në një konferencë shtypi të martën në mbrëmje. Por ai shtoi se "qëllimi kryesor është t’u jepet familjarëve informacion mbi fatin e njerëzve të tyre".

Askush nuk arriti të shpëtohej pas rrëzimit të kompleksit të banimit në orët e para të mëngjesit të 24 qershorit, kur shumë prej banorëve ndodheshin në gjumë.

Kryebashkiakja e Majemi-Dejd, Daniella Levine Cava tha se familjet e personave që nuk janë gjetur po përgaten për lajmin e "humbjes tragjike" të familjarëve të tyre. Ajo tha se Presidenti Joe Biden, i cili vizitoi zonën javën e kaluar, i kishte telefonuar të martën për t’i ofruar mbështetjen e tij të vazhdueshme.

Të martën gazetarëve u dha mundësia ta shihin më nga afër vendngjarjen megjithëse hyrja ishte e kufizuar në pjesën e ndërtesës që autoritetet shembën të dielën, për shkak të rrezikut që paraqesin pjesë të saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG