Lidhje

Katër të vrarë dhe gjashtë të arrestuar në lidhje me vrasjen e presidentit të Haitit


Sipas agjensisë së lajmeve Reuters, policia në Haiti vrau katër të dyshuar dhe arrestoi gjashtë të tjerë disa orë pas vrasjes së presidentit të vendit, Jovenel Moise, në rezidencën e tij private në periferi të kryeqytetit, Port-au-Prince, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Vriten katër nga të dyshuarit për vrasjen e presidentit të Haitit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:11 0:00

Tre oficerë policie të mbajtur peng nga të dyshuarit e armatosur u liruan të mërkurën vonë, tha Léon Charles, shefi i Policisë së Haitit. Sipas informacionit që ai dha gjatë konferencës për shtyp të enjten, policia është tashmë në kërkim të organizatorëve. Zoti Charles i bëri thirrje popullatës të bashkëpunojë me forcat e sigurisë dhe të mos shkaktojë trazira, pasi një turmë u mblodh përpara një stacioni policie në kryeqytet, ku mbaheshin të dyshuarit.

Duke cituar një gazetë vendase, Agjensia e lajmeve Associated Press njoftoi se një gjykatës haitian i përfshirë në hetimin e vrasjes së presidentit tha se Jovenel Moïse u qëllua dymbëdhjetë herë dhe zyra dhe dhoma e tij e gjumit u plaçkitën nga banda që e sulmoi.

Gazeta në gjuhën franceze "Le Nouvelliste" citoi të enjten gjyqtarin Carl Henry Destin të thoshte se hetuesit gjetën gëzhoja 5.56 dhe 7.62 mm mes portës së shtëpisë dhe brenda shtëpisë. Ai tha se kishte qenë në rezidencën presidenciale si pjesë e hetimit.

Vajza e Presidentit Moïse, Jomarlie Jovenel Moïse, u fsheh në dhomën e gjumit të vëllait të saj gjatë sulmit, tha ai, dhe një punonjëse shtëpiake dhe një punëtor tjetër u lidhën nga sulmuesit që bërtisnin "operacioni i DEA-s" ndërsa hynë në pronë herët të mërkurën, tha gjykatësi, duke cituar dëshmitarët.

Ngjarjet vijnë mes një kaosi në rritje në një vend ku është shtuar dhuna e bandave dhe kishte pasur protesta ndaj sundimit gjithnjë e më autoritar të presidentit.

Ambasadori haitian në Shtetet e Bashkuara Bocchit Edmond kishte bërë thirrje më herët gjatë një konferencë me gazetarët që mbulojnë Departamentin e Shtetit se Haiti do të kërkonte ndihmë dhe ekspertizë nga Shtetet e Bashkuara.

"Një Haiti i qëndrueshëm është në interes të Shteteve të Bashkuara", tha ai.

Kufiri i Haitit me Republikën Dominikane dhe aeroportet e saj janë të mbyllura, tha ambasadori.

Haiti ka shpallur gjendja e shtetrrethimit, siç njoftoi Kryeministri i përkohshëm Claude Joseph gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror të mërkurën në mëngjes.

Kryeministri Joseph tha se ai po drejton vendin dhe në të po zbatohet ligji ushtarak, ndërsa kufijtë e Haitit dhe aeroporti kryesor i tij janë mbyllur.

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse zyrtarët e dinë kombësinë e personave të armatosur, ambasadori Edmond tha se nuk ishte i sigurt, por bazuar në videot e marra nga policia kombëtare dhe të konsideruara të besueshme, vrasësit, të cilët ai i përshkroi si "mercenarë", ishin veshur si agjentë të Agjencisë Amerikane të Anti-Drogës

"Ata flasin spanjisht dhe e paraqitën veten si agjentë të DEA-s. Ne e dimë mirë, se kjo nuk është mënyra se si vepron DEA. Unë besoj se ata janë agjentë të rremë. Ekspertët që panë videon thanë se ata janë vrasës profesionistë," u tha ambasadori gazetarëve.

Zonja e parë Martine Moise, e cila u qëllua gjatë sulmit, është në gjendje të qëndrueshme, por kritike, tha ambasadori. Po bëhen përgatitje për ta transferuar atë në një spital në Miami për trajtim.

Një nga fëmijët e presidentit i cili ishte në shtëpi gjatë sulmit është dërguar në një vend të sigurt.

Presidenti amerikan Joe Biden e dënoi sulmin dhe shprehu ngushëllimet në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

"Ne e dënojmë këtë akt të neveritshëm dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për shërim Zonjës së Parë Moïse. Shtetet e Bashkuara ngushëllojnë popullit e Haitit. Ne jemi gati të ndihmojmë ndërsa vazhdojmë të punojmë për një Haiti më të sigurt", thuhej në deklaratë.

Zoti Biden e quajti sulmin "shqetësues", duke shtuar se "ne kemi nevojë për shumë më shumë informacion" ndërsa iu përgjigj pyetjes së një gazetari ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë.

Në Nju Jork, presidenti i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ambasadori francez Nicolas de Riviere, tha se këshilli ishte thellësisht i tronditur nga vrasja.

Këshilli do të takohet privatisht të enjten në mëngjes për të diskutuar zhvillimet.

Kombet e Bashkuara kanë rreth 1,200 anëtarë personeli në Haiti si pjesë e misionit të tyre politik atje.

Haiti ka përjetuar paqëndrueshmëri politike dhe ndasi, si dhe rritje të dhunës së bandave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG