Lidhje

Presidenti Biden mbron tërheqjen e trupave nga Afganistani


Mes fitoreve të mëdha të talibanëve në terren, të enjten Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden shpjegoi arsyet për tërheqjen ushtarake nga Afganistani. ShBA janë në proces të tërheqjes së plotë të trupave deri në fund të gushtit, duke u dhënë fund operacioneve ushtarake pas dy dekadash lufte.

Presidenti Biden mbron tërheqjen e trupave nga Afganistani
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:22 0:00

Forcat afgane qëlluan me armë në kryeqytetin e provincës Badghis, pasi talebanët sulmuan qytetin – sulmi më i rëndë që kur Shtetet e Bashkuara filluan tërheqjen e trupave.

Mijëra trupa amerikane dhe kontraktorë u larguan nga baza ushtarake e Bagramit javën e kaluar, duke u dhënë fund operacioneve ushtarake amerikane që filluan më 2001.

Të enjten, Presidenti Joe Biden dha arsyetimin e tij.

“Pas 20 vitesh, me një trilionë dollarë të shpenzuara në trajnimin dhe furnizimin e qindra mijëra Forcave të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes afgane, 2 mijë e 448 amerikanë të vrarë, 20 mijë e 722 të plagosur dhe mijëra të tjerë që vijnë në shtëpi me trauma, unë nuk do të dërgoj një brez tjetër amerikanësh në luftën e Afganistanit, pa pritje të arsyeshme për arritjen e një rezultati tjetër”, tha zoti Biden.

Autoritetet amerikane thanë se tërheqja e trupave përfundon nga fundi i gushtit. Presidenti Biden e urdhëroi tërheqjen në prill, duke arritur në përfundimi se ShBA ka mposhtur kërcënimin nga Al-Kaida, grupi që sulmoi Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001.

Por me shtimin e sulmeve të talibanëve në qytete kyçe, shumë shprehen të shqetësuar për mundësinë e rrëzimit të qeverisë afgane.

“Nuk mendoj që ushtria afgane është aq e keqe sa e përshkruajnë disa njerëz. Por njëkohësisht, nuk jam i sigurt nëse e kanë fuqinë për të ndalur talibanët në krijimin e një lufte të gjithanshme civile, e cila do të ishte një tragjedi absolute për Afganistanin”, tha për Zërin e Amerikës Mark Jacobson, ekspert i politikave në jashtme që ka shërbyer me forcat amerikane në Afganistan.

Presidenti Biden tha se SHBA do të vazhdojë mbështetjen për ushtrinë afgane, sigurimin e ndihmave humanitare dhe ndihmave për mbrojtjen e të drejtave të grave.

Por ai këmbënguli që udhëheqja afgane duhet të bashkohet.

“Ne nuk shkuam në Afganistan për të ndërtuar vendin. Është e drejtë dhe përgjegjësi e popullit afgan që të vendosë për të ardhmen dhe drejtimin e vendit të tyre”, tha zoti Biden.

Rreth 600 trupa amerikane do të ngelen për të mbrojtur aeroportin dhe Ambasadën amerikane në Kabul.

Analistët thonë se ekzistojnë hapa të tjerë që ShBA mund të ndërmarrë për të mbrojtur qeverinë afgane nga rrëzimi.

“Nëse mund të gjejmë një mënyrë që të kthejmë kontraktorët perëndimorë në një pjesë të sigurt të vendit, ose diku afër për të mbështetur forcat afjrore afgane, nëse mbështesim ushtrinë afgane me para dhe nëse konsiderojmë edhe përdorimin e një sasie të kufizuar të forcës ajrore amerikane kundër ndonjë sulmi të talibanëve ndaj qyteteve, ekziston mundësia që ne të ndihmojmë qeverinë afgane të qëndrojë në pjesë të mëdha të vendit”, tha për Zërin e Amerikës Michael O’Hanlon, ekspert i politikave të jashtme në Institutin Brookings.

Ndërkohë, mijëra afganë po përpiqen të largohen nga vendi. Radhë të gjata janë parë në zyrën e pasaportave në Kabul, me shpresën që të sigurojnë viza pas tërheqjes amerikane.

Janë duke u bërë përpjekje për të zhvendosur dhjetëra mijëra përkthyes afganë dhe të tjerë që ndihmuan forcat amerikane. Administrata tha se ka indentifikuar objekte në vendet e treta jashtë Shteteve të Bashkuara ku ata do të strehohen përkohësisht ndërsa miratohen vizat e tyre emigruese.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG