Lidhje

Papa Françesku shfaqet në publik për herë të parë pas operacionit 


PAPA
PAPA

Papa Françesku bëri të dielën paraqitjen e tij të parë publike që nga operacioni javën e kaluar, duke përshëndetur dashamirësit ndërsa qëndroi në një ballkon të spitalit. Vatikani tha se operacioni kishte shkuar mirë dhe se Papa do të qëndrojë në spital për shtatë ditë, nëse gjithçka shkon sipas parashikimit. Është hera e parë që Papa 84-vjeçar shtrohet në spital që kur u zgjodh në krye të Kishës Katolike.

Papa Françesku shfaqet në publik për herë të parë pas operacionit
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:59 0:00

Papa Françesku dukej në gjendje të mirë kur u shfaq në publik të dielën, për herë të parë pasi iu nënshtrua një operacioni në zorrë një javë më parë.

Papa 84-vjeçar, të cilit i ishte hequr një pjesë e zorrës së trashë, doli në një ballkon të katit të 10 të spitalit “Gemelli” të Romës, për të drejtuar lutjen e tij javore para qindra njerëzve që ishin mbledhur.

Ai qëndroi për rreth 10 minuta duke lexuar një tekst të përgatitur, ndërsa qindra njerëz poshtë thërrisnin: Rroftë Papa. Ati i Shenjtë gjatë fjalimit të tij tha se kujdesi i mirë shëndetësor duhet të jetë i arritshëm për të gjithë dhe të jetë falas.

“Në këto ditë që kam qenë në spital, pashë edhe një herë se sa e rëndësishme është të kesh një sistem të mirë shëndetësor që është i arritshëm për të gjithë, pasi ekziston në Itali dhe në disa vende të tjera,” tha Ati i Shenjtë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbulimi shëndetësor universal do të thotë që të gjithë njerëzit të kenë akses në shërbimet shëndetësore që u nevojiten pa kaluar në vështirësi financiare.

Papa, të cilit i është hequr dhe një pjesë e mushkërive kur ishte i ri në Argjentinë, disa herë kishte vështirësi në frymëmarrje.

Por besimtarët ishin të kënaqur kur panë Atin e Shenjtë në ballkon përsëri, edhe pse jo nga Sheshi i Shën Pjetrit.

“Zëri i tij ishte pak i dobët, por ne donim të ishim këtu” tha një besimtar.

Ishte hera e parë që nga zgjedhja e tij si Papë në vitin 2013 që ai nuk e lexoi lutjen dhe mesazhin e së dielës nga një dritare me pamje nga Sheshi i Shën Pjetrit, përveç rasteve kur ai udhëton.

Papa pritet të rifillojë të gjitha aktivitetet e tij pas korrikut. Duke filluar nga shtatori, Vatikani ka thënë se ai po planifikon udhëtime në Hungari dhe Sllovaki.

Në nëntor, ai ka në plan të vizitojë Greqinë dhe Qipron dhe mund të marrë pjesë në një takim ndërkombëtar mbi ndryshimin e klimës në Skoci po atë muaj.

XS
SM
MD
LG