Lidhje

Presidenti Biden në mbrojtje të së drejtës së votës


Presidenti demokrat Joe Biden, nën presionin e udhëheqësve të të drejtave civile, mbajti një fjalim në Filadelfia për një legjislacion gjithëpërfshirës mbi të drejtën e votimit, i cili është bllokuar në Kongres për shkak të kundërshtimit republikan.

Rreth 12 shtete të kontrolluara nga republikanët kanë miratuar ligje që ose kufizojnë votimin ose ndryshojnë rregullat e zgjedhjeve në përgjigje të pretendimeve të pabaza të ish-Presidentit Donald Trump se ai humbi në zgjedhjet e 2020, për shkak të manipulimit të votave.

Ndërsa ligji për të drejtat e votës përballet me një betejë të ashpër në Kongres, përqendrimi i Presidentit Biden tek kjo e drejtë e lejon atë të marrë mbështetje mes votuesve demokratë ndërsa këta të fundit punojnë për të mbajtur kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e vitit 2022.

Muajin e kaluar, republikanët e Senatit bllokuan një projekt-ligj të reformës zgjedhore që mbështetej nga demokratët që do të kishte zgjeruar mundësitë për të votuar përpara Ditës së Zgjedhjeve, që do të bënte më transparente kontributet e caktuara të fushatës zgjedhore dhe që reformonte procesin për ndarjen e qarqeve të kongresit. Republikanët thanë se projekt-ligji shkelte autoritetin e vetë shteteve për të vendosur ligjet e tyre zgjedhore.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të hënën se në fjalimin e tij në Filadelfia, presidenti Biden do t’i quajë përpjekjet për të hequr të drejtën e votës "sfidën më të rëndë për demokracinë amerikane që nga Lufta Civile".

Presidenti do të argumentojë "se mohimi i së drejtës për të votuar është një formë shtypjeje" dhe do të diskutojë hapat që administrata ka në plan të ndërmarrë për të mbështetur të drejtat e votës, tha zonja Psaki.

Qyteti i zgjedhur për fjalimin nga presidenti Biden në Qendrën Kombëtare të Kushtetutës përbën një simbolikë të fuqishme për shumë amerikanë. Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara u nënshkruan të dyja në Sallën e Pavarësisë, vetëm disa hapa larg nga qendra e qytetit.

Fjalimi i presidentit Biden në Filadelfia do të trajtojë vazhdimin e "sulmet nga ligjet që shtypin të drejtës së votës bazuar në një teori të rrezikshme dhe të diskredituar konspirative që kulmoi me një sulm (më 6 janar) në Kapitolin tonë", tha zonja Psaki.

Demokratët kanë luftuar së bashku me grupet e të drejtave civile për të luftuar valën e kufizimeve të votimit që kritikët thonë se vë në shënjestër votuesit afrikano-amerikanë, hispanikë dhe të rinjtë, të cilët kanë ndihmuar në zgjedhjen e demokratëve.

Në Teksas të hënën, dhjetëra ligjvënës demokratë u larguan nga ky shtet si pjesë e një veprimi të orkestruar për të prishur përpjekjet e kolegëve të tyre republikanë për të miratuar një ligj për kufizimin e votimit dhe masa të tjera konservatore në një sesion të posaçëm legjislativ.

Ligjvënësit republikan të këtij shtetit thonë se ligjet e tyre të reja të votimit janë krijuar për të rritur sigurinë e zgjedhjeve, duke cituar pretendimet e zotit Trump se ai humbi për shkak të manipulimeve të përhapura. Këto pretendime u hodhën poshtë nga shumë gjykata, autoritetet shtetërore të zgjedhjeve dhe administrata e vetë zotit Trump.

Këtë vit Guvernatorët republikanë në Xhorxhia, Arizona, Florida dhe Ajoua miratuan ligje që parashikojnë kufizime të reja në procesin e votimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG