Lidhje

BE, plan mbi infrastrukturën globale që rivalizon projektet e Kinës


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian ranë dakord të hënën mbi një plan ambicioz të infrastrukturës globale që lidh Evropën me botën.

Projekti infrastrukturor është hartuar për të rivalizuar nismën “Një Brez një Rrugë” të Presidentit kinez Xi Jinping, për të cilën qeveritë perëndimore druhen se inkurajon vendet të marrin hua të mëdha nga Pekini i cili mund ta përdorë më pas për qëllime politike.

Ne e shohim se si Kina është duke përdorur mekanizma ekonomikë dhe financiare për të rritur ndikimin e saj politik kudo në botë. Ka shumë ankesa për këtë, ne duhet të ofrojmë alternativa”, tha Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas për agjencinë e lajmeve Reuters rreth përfundimit të samitit të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.

Brukseli tashmë ka lidhur marrëveshje partneriteti me Indinë dhe Japoninë për të koordinuar transportin, energjinë dhe projektet dixhitale që lidhin Evropën dhe Azinë. Tokio dhe Nju Deli gjithashtu kanë shprehur shqetësime në lidhje me huatë kineze mbi infrastrukturën që po i kthejnë vendet e varfra në varësi të Pekinit dhe kanë paralajmëruar se Kina është duke përdorur tregtinë si një mjet për zgjerimin e ndikimit politik.

Mali i Zi, një anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, është përmendur nga diplomatët perëndimorë si viktima më e fundit e asaj që ata e quajnë "diplomacia e kurthit të borxheve" të Kinës. Vendi ballkanik huazoi gati 1 miliard dollarë nga Kina në 2014 për të financuar një autostradë 41 kilometra të gjatë jashtë kryeqytetit të Podgoricës, të ndërtuar nga kinezët. Kredia e ka futur Malin e Zi në borxhe të mëdha dhe po kërcënon të shkatërrojë ekonominë e saj.

Plani i BE-së për infrastrukturën pasqyron një premtim të ngjashëm që Grupi i Shtatë vendeve më të pasura të botës bëri muajin e kaluar për të mbështetur partneritetin në infrastrukturë, duke përdorur kredi bankare perëndimore për zhvillimin dhe për të ofruar garanci për kompanitë private, për të rivalizuar nismën “Një Brez një Rruge”, që shpesh është quajtur si “Rruga e Re e Mëndafshit”.

Vendosmëria e Perëndimit

Iniciativa e së hënës është në vazhdën e një prirjeje, të nisur kohëve të fundit për një qëndrim më të vendosur të BE-së ndaj Kinës. Ajo pason përpjekjet diplomatike të Presidentit amerikan Joe Biden për të mobilizuar aleatët evropianë për të ndërmarrë veprime më agresive kundër Kinës, përfshirë ndaj praktikave të saj të punës së detyruar, shkeljet e rregullave tregtare ndërkombëtare si dhe kundër atyre që Uashingtoni i sheh si skema problematike globale të financimit të infrastrukturës nga Pekini.

Presidenti Biden u ka kërkuar aleatëve evropianë të sigurojnë një mbrojtje shumë më të bashkuar të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Masat e Kinës ndaj Hong Kongut dhe pakicës ujgure në provincën e Xinjiangut nxitën në maj vendimin e ligjvënësve të BE-së për të ndalur ratifikimin e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse për Investimet midis BE-së dhe Kinës, e cila u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar.

BE-ja vendosi sanksione ndaj zyrtarëve kinezë për shkelje të të drejtave të njeriut, duke nxitur veprime hakmarrëse nga Pekini, i cili ndëshkoi disa ligjvënës dhe zyrtarë të BE-së.

Presidenti Xi në fillim të këtij muaji tha në një fjalim televiziv me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste Kineze se Pekini nuk do të dëgjonte më "predikime të shenjta" (nga vende të tjera).

Ai paralajmëroi: “Ne kurrë nuk do të lejojmë askënd të ngacmojë, shtypë ose nënshtrojë Kinën. Atyre që përpiqen ta bëjë këtë, do t’u laget koka me gjak në Murin e Madh të Çelikut të ndërtuar nga mbi 1.4 miliardë kinezë".

Qasje e pabarabartë

Qeveritë kombëtare të BE-së nuk janë të bashkuara në qëndrimin ndaj Kinës. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron po kërkojnë të ringjallin marrëveshjen e bllokuar të investimeve me Kinën dhe kanë theksuar nevojën për bashkëpunim me Kinën, duke thënë se ndihma e Pekinit është thelbësore në përpjekjet globale kundër ndryshimit të klimës dhe për mposhtjen e pandemisë së koronavirusit. Ministri i jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn paralajmëroi të hënën kundër përpjekjeve për ta bërë Kinën armike.

Zyrtarisht, strategjia e BE-së ndaj Kinës kërkon të ekuilibrojë marrëdhëniet me Pekinin dhe Uashingtonin. Qasja përqendrohet në trajtimin e "sfidave specifike të paraqitura nga Kina pa ndjekur rrugën e një konfrontimi të drejtpërdrejtë politik", thuhet në një shkrim të ekspertit të marrëdhënieve BE-Kinë, Grzegorz Stec, për Institutin e Bashkuar Mbretëror.

E ashtuquajtuara doktrina 'Sinatra'

Ai theksoi se një vit më parë shefi i diplomasicë së BE-së, Josep Borrell "ka thënë se në menaxhimin e marrëdhënieve të saj me Kinën, BE-ja 'duhet të veprojë si Frank Sinatra', duke ndjekur 'rrugën e vet". Por eksperti Stec shtoi se, "doktrina Sinatra është zbehur gjatë vitit të kaluar” me një debat që po zhvillohet për Kinën midis vendeve anëtare të BE-së. "Rezultati mund të jetë një Evropë më këmbëngulëse", thotë ai.

Të tjerët duan që doktrina Sinatra të zbehet sa më shpejt. Lituania dhe një grup vendesh më të vogla të BE-së kanë bërë thirrje për miratimin e një politike më të ashpër ndaj Pekinit.

Javën e kaluar, ministri i jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, u ankua për dominimin franko-gjerman në vendosjen e marrëdhënieve BE-Kinë. Presidenti lituanez Gitanas Nausėda i ka bërë thirrje Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel të organizojë një debat strategjik mbi Kinën mes 27 udhëheqësve të vendeve të BE-së. Në një letër drejtuar zotit Michel, që së pari u raportua nga Politico.eu, një faqe interneti me qendër në Bruksel, zoti Nausėda thotë: "Për fat të keq, në vitet e fundit Kina është bërë më pak një partner bashkëpunues dhe më shumë një konkurrent i padrejtë dhe e me praktika mbizotëruese rivaliteti"

Pepijn Bergsen, një studiues në organizatën britanike Chatham House, thotë se BE-ja ka të ngjarë të vazhdojë të përpiqet të ndjekë një qasje ekuilibruese mes Uashingtonit dhe Pekinit për arsye ekonomike dhe për të shmangur përfshirjen në një betejë gjeopolitike. Por ai thotë se kjo është një strategji e paqëndrueshme në planin afatgjatë.

"Ndërsa dëshira për të qëndruar neutral mes këtyre dy fuqive është e kuptueshme, veçanërisht nga pikëpamja ekonomike për vendet si Gjermania, kjo ka të ngjarë të jetë një strategji e vështirë ekuilibrimi", tha ai në një shkrim të botuar javën e kaluar.

Ky raport përfshinë informacione nga agjencia e lajmeve Reuters dhe Politico.eu.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG