Lidhje

Uashingtoni pritet të nisë evakuimin e afganëve që ndihmuan ushtrinë amerikane


Administrata e Presidentit Biden pritet të fillojë evakuimin e afganëve që kanë shërbyer si përkthyes për forcat amerikane gjatë luftës gati 20 vjeçare. Lajmi u njoftua nga një zyrtar i lartë i administratës, i cili nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht rreth kësaj çështjeje.

Ky i fundit tha se në kuadër të ashtuquajturit “Operacioni për Strehimin e Aleatëve” nga Afganistani do të nisen gjatë javës së fundit të korrikut fillimisht aplikantët për viza të posaçme emigrimi, të cilët ndodhen aktualisht në proces aplikimi për të siguruar qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Joe Biden është përballur me presion nga ligjvënësit e të dyja krahëve, për të dalë me një plan për të ndihmuar në evakuimin e afganëve që kanë ndihmuar ushtrinë, përpara tërheqjes së plotë të trupave muajin e ardhshëm. Shtëpia e Bardhë nisi të informojë ligjvënësit rreth ketyre planeve muajin e kaluar.

Evakuimi mund të prekë potencialisht me dhjetëra mijëra afganë. Disa mijëra afganë që kanë punuar për SHBA-në përfshirë anëtarët e familjeve të tyre, janë tashmë në proces aplikimi për marrjen e vizave të posaçme të emigrimit.

Administrata Biden gjithashtu ka punuar për gjetjen e një vendi të tretë ose një territori amerikan ku mund të qëndrojnë shtetasit afganë, ndërsa shqyrtohen kërkesat e tyre për viza.

Administrata po peshon mundësinë e përdorimit të avionëve komercialë të marrë me qera nga Departamenti i Shtetit, dhe jo të avionëve ushtarakë, sipas një zyrtari tjetër të administratës, i cili gjithashtu foli në kushte anonimiteti. Por ai shtoi se nëse Departamenti i Shtetit do te kërkojë avionë ushtarakë, ushtria amerikane do të jetë e gatshme të ndihmojë.

Tracey Jacobson, ish-shefe e misioneve diplomatike në Taxhikistan, Turkmenistan dhe Kosovë, po udhëheq njësinë e koordinimit të Departamentit të Shtetit, që do të zbatojë planet nën Operacionin për Strehimin e Aleatëve. Njësia përfshin gjithashtu përfaqësues nga departamentet e Mbrojtjes dhe të Sigurisë Kombëtare.

Russ Travers, zëvendës këshilltar për Sigurinë Kombëtare dhe ish-shef i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, po koordinon punën mes agjencive.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë njoftoi se këshilltarja për Sigurinë e Kombëtare Elizabeth Sherwood-Randall, do të udhëheqë një delegacion amerikan në një konferencë sigurie në Uzbekistan që mbahet këtë javë, për të diskutuar çështjet që lidhen me sigurinë në Afganistan.

Në konferencë pritet gjithashtu të marrin pjesë edhe Presidenti afgan Ashraf Ghani dhe Zalmay Khalilzad, i dërguari special i SHBA-së për paqen në Afganistan.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se një mundësi që po diskutohet është zhvendosja e aplikantëve për viza në vendet fqinje në Azinë Qendrore, si një mënyrë për t’i mbrojtur nga hakmarrja e mundshme e talibanëve apo grupe të tjera.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit nuk kanë pranuar të komentojnë mbi shifrën e saktë të personave që do të zhvendosen ose se ku mund të vendosen.

Presidenti Biden njoftoi javën e kaluar se misioni ushtarak amerikan në Afganistan do të përfundojë më 31 gusht.

Përcaktimi i datës, vjen pasi administrata e ish-Presidentit Donald Trump negocioi një marrëveshje me talibanët për t'i dhënë fund misionit ushtarak amerikan deri më 1 maj të vitit 2021. Pasi mori detyrën, Presidenti Biden njoftoi se trupat amerikane do të largoheshin nga Afganistani para përvjetorit të njëzetë të sulmeve të 11 shtatorit 2001. Sulmet u organizuan nga udhëheqësi i al-Kaidës, Osama bin Laden, nga Afganistani ku ai qëndronte i strehuar nga grupi taliban.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG