Lidhje

Tiranë: Koncensionet dhe PPP-të krijuan 11.4 për qind detyrime të mbartura për buxhetin në raport me GDP-në


Në Tiranë, Organizata Monitoruese Open Data Albania publikoi një studim, sipas të cilit detyrimet e buxhetit të shtetit ndaj koncensioneve dhe PPP-ve kanë shkuar 11.4 për qind kundrejt GDP-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto).

Ky nivel që ka arritur Shqipëria me detyrimet kontigjente është 5 herë më i lartë se sa vendi europian më shumë i përfshirë në to.

Open Data thotë se kjo shënon një shkallë risku shumë të lartë dhe një mbingarkesë borxhesh afatgjata, që rëndojnë financat publike të Shqipërisë.


Shqipëria ka mbi 200 koncensione në tërësi, por studimi i Open Data Albania ka vëzhguar vetëm 15 koncensione me mbështetje buxhetore deri në 30 vitet e ardhshme.

Studimi zbuloi një risk të lartë që vjen nga kontratat dhe marrëveshjet koncensionare si dhe Partneritetet Publik - Privat, thotë Aranita Brahaj, drejtuese e organizatës hulumtuese Open Data Albania.

“Ne kemi 11.4 për qind detyrime të mbartura (kontingjente) mga PPP dhe koncensione dhe PPP kundrejt GDP të vitit 2020. Vendi i dytë me këtë shkallë risku është me 2.4 për qind. Pra, ne jemi 5 fish më shumë se vendi më guximtar në Europë” - tha zonja Brahaj.

Tiranë: Koncensionet dhe PPP-të krijuan 11.4 për qind detyrime të mbartura për buxhetin në raport me GDP-në
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

Vendi i dytë në këtë renditje të detyrimeve kontigjente prej PPP-ve dhe koncensioneve në Europë është Portugalia me 2.4 për qind.

Spanja dhe Britania, që përmenden shpesh gjatë fjalimeve në Tiranë se kanë eksperimentuar me PPP-të, nuk kanë guxuar asnjëherë të kapin nivelin 2 për qind të detyrimeve me koncensione dhe PPP kundrejt GDP-së, ndërsa Shqipëria del se ka 5 herë më shumë detyrime më shumë se ato vende.

Por borxhet janë borxhe dhe mbeten aty, sado që të shtrihen në vite, thotë zonja Brahaj. Qeveria e merr detyrimin, por nuk vlerëson gjithë kohë-shtrirjen e tij, duke e parë vetëm një ose 3 vjetët e para, që ka bërë llogaritë.

“Qeveria nuk i konsideron si borxhe, por këto janë realisht borxhe afatgjata, që dalin nga financat publike, duhet një kujdes i madh për të menaxhuar këto kontrata PPP dhe koncensione, që vijnë e rëndohen me ndryshime e rinovime kontratash, si dhe për shkak të arbitrazhit” - thotë drejtuesja e Open Data Albania.

Studimi thekson se procesi PPP e koncensione e ka futur Shqipërinë në listën e vendeve me risk shumë të lartë sa i takon financave publike, i cili mund të ndihet në vitet dhe dekadat e ardhshme, sepse disa prej tyre kanë efekt deri në vitin 2040-43. Disa prej tyre shtohen me anekse, që rëndohen edhe më shumë financat.

Vlerësimi i riskut nga detyrimet kontigjente ka qenë edhe një detyrë e FMN-së prej shumë kohësh në raportet vjetore që bën për Shqipërinë.

Ekspertët e Open Data pohojnë se edhe në të gjithë progress raportet e viteve të fundit Shqipërisë i është kërkuar nga BE të bëjë një vlerësim të saktë të zonave të riskut si koncensionet dhe PPP-të.

Shqipëria nuk e ka bërë se mban ende një metodë llogaritje të vitit 1995, kur duhet bërë me standartin e ri kontabël, një metodë e vitit 2010.

Ndaj BE ka të drejtë, pohojnë ata, kur heziton të bëjë pjesë të vetën vende me ngarkesë të tillë borxhesh dhe me risk të lartë financiar.

“Borxhi publik ka arritur në nivelin rreth 80 për qind me vështirësitë që ka kaluar së fundmi qeveria dhe shteti shqiptar. Po të shtojmë edhe këtë 11.4 për qind, i cili na rezulton si borxh i fshehur ose si borxh i llogarive kombëtare, detyrim kontigjent, ne do të na shkonte borxhi në nivlin 90 për qind. Pra, jemi vërtet në një zonë shumë të lartë risku, për më tepër ne ende nuk kemi nisur ta pranojmë dhe ta llogarisim në nivele zyrtare këtë lloj ngarkese të financës publike për shkak të këtyre detyrimeve” - thotë zonja Brahaj.

Open Data Albania theksoi se një nga nismat e rëndësishme të parlamentit të ri duhet të jetë miratimi i standartit të ri kontabël dhe zbatimi i metodës së re të llogaritjes së borxheve, që kërkon BE-ja dhe FMN-ja dhe fshirja e metodës së vitit 1995, sepse kështu rritet profesionalizmi dhe transparenca mbi përdorimin e financave publike dhe marrin fund fshehjet e borxheve prapa standarteve të vjetra.

Studiuesit pohojnë se është paradoksale që standartet e reja të fiskalizimit dhe kontabilitetit i zbatojnë aktualisht çdo biznes i vogël e i madh, madje edhe shoqatat e organizatat jofitimprurëse, por jo nga qeveria, e cila mban për vete një standart të 3 dekadave më parë, duke shkaktuar mungesë transparence e vetkontrolli, dhe nivel të lartë keqmenaxhimi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG