Lidhje

Ndërsa SHBA tërhiqet nga Afganistani, Kremlini ka shqetësime mbi Azinë Qendrore


Tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani po ngre pikëpyetje se kush do ta zërë hapësirën e lënë bosh. Në Moskë, zyrtarët janë duke parë me skepticizëm përparimet e fundit të talibanëve në kontrollin e territorit dhe si mund të ndikojë kjo situatë në shtetet fqinje në Azinë Qendrore.

Ndërsa SHBA tërhiqet nga Afganistani, Kremlini ka shqetësime mbi Azinë Qendrore
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Me trupat amerikane që kthehen në shtëpi nga Afganistani, zyrtarët rusë po shijojnë publikisht momentin.

“Shtetet e Bashkuara nuk po tërheqin vetëm trupat nga Afganistani. Ato po tërhiqen, duke pranuar në këtë mënyrë dështimin e misionit të tyre 20-vjeçar”, tha Sergey Lavrov, Ministër i Jashtëm i Rusisë.

Presidenti rus Vladimir Putin fillimisht e mbështeti pjesërisht operacionin ushtarak amerikan, sepse prania amerikane de facto zgjidhi shqetësimet e vetë Rusisë në lidhje me kërcënimin terrorist në Afganistan.

Por teksa forcat amerikane po largohen nga Afganistani, analistët thonë se Kremlini është i shqetësuar se luftimet e reja dhe grupet e refugjatëve mund të përhapen në vendet fqinje të Azisë Qendrore duke lejuar ekstremizmin islamik të përhapet në një rajon tradicionalisht nën ndikimin e Moskës.

“Duke menduar për sigurinë e saj, Rusia nuk ka absolutisht asnjë zgjidhje tjetër përveç të ndërhyjë në republikat e Azisë Qendrore në rast se situata atje do të ishte e paqëndrueshme”, thotë eksperti ushtarak Alexander Golts.

Në ditët e fundit, zyrtarët rusë pritën përfaqësuesit e talibanëve për bisedime në Moskë, ndërsa të dyja palët kërkojnë garanci për sigurinë.

Negociatorët talebanë pretenduan se luftëtarët e tyre tani kontrollojnë 85 për qind të territorit afgan, por përjashtuan sulmet ndaj aleatëve ushtarakë rusë si Taxhikistani, vend me të cilin Moska ka një marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë.

Megjithatë, disa mijëra njerëz kanë kaluar kufirin pas luftimeve të talibanëve me trupat e qeverisë Afgane.

“Ndoshta udhëheqësit talibanë po e ekzagjerojnë kur thonë se kontrollojnë 85 për qind të territorit, por vendosja e tyre në kufirin me Taxhikistanin është një fakt i vërtetë. Ata kontrollojnë kufirin me Taxhikistanin”, thotë Alexander Golts, ekspert ushtarak.

Ndërkohë, vëzhguesit politikë në Rusi kanë reaguar me ironi ndaj Kremlinit, që po negocion me një grup që zyrtarisht e konsideron një “organizatë terroriste”, ndërsa godet grupet e opozitës ruse.

Sipas tyre në Rusi po goditet Fondacioni Antikorrupsion i Aleksei Navalnit, duke e akuzuar si organizatë terroriste vetëm për të ndaluar anëtarët e këtij fondacioni të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të vjeshtës.

“Navalni dhe mbështetësit e tij nuk do të lejohen kurrë të mblidhen në Moskë, por nëse ju jeni talibanë, pse jo. Nëse kjo është ajo që autoritetet duan… Është hipokrite dhe cinike. Talibanët lejohen të bëjnë atë që nuk janë në gjendje të bëjnë kundërshtarët politikë të Kremlinit”, thotë Kirill Martynov, redaktor politik në gazetën “Novaya”.

Duke kujtuar luftën vdekjeprurëse për një dekadë në Afganistan, në vitet 1980 që përfundoi me humbje për Rusinë, pak mendojnë se Kremlini është i etur të angazhohet përsëri ushtarakisht.

Por ndërsa roli amerikan në Afganistan po mbaron, luftimet në rritje atje, mund ta detyrojnë Rusinë të ndërhyjë për të zënë vendin e lënë bosh nga SHBA.

XS
SM
MD
LG