Lidhje

SHBA: Shtohen rastet dhe vdekjet me COVID-19 mes të pavaksinuarve


Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një rritje të rasteve dhe vdekjeve me COVID-19, që i atribuohet kryesisht variantit shumë ngjitës Delta të koronavirusit mes njerëzve të pavaksinuar.

Katër shtete me përqindje të ulëta vaksinimi ishin përgjegjës për 40% të rasteve të reja të javës së kaluar, por rastet janë shtuar në të 50 shtetet, thonë zyrtarët.

Dr. Rochelle Walensky, drejtoreshë e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha të premten se javën e kaluar SHBA kishte një mesatare ditore prej 26,000 rastesh të reja. Ajo tha se bëhet fjalë për "një pandemi e të pavaksinuarve". Po të premten, Presidenti Joe Biden i bëri jehonë komenteve të Dr. Walensky, duke thënë, "E vetmja pandemi që kemi është midis të pavaksinuarve."

Ndërkohë, një grup këshilltarësh qeveritarë ndërkombëtarë thonë se janë të shqetësuar për planet e Anglisë për të hequr të gjitha kufizimet të hënën. Këshilltarët besojnë se kjo do ta linte Britaninë të ekspozuar ndaj varianteve të reja të koronavirusit, duke e shndërruar ndoshta në një vatër përhapjeje.

Shqetësimi po rritet për Lojrat Olimpike, pasi një person i paidentifikuar brenda Fshatit Olimpik u testua pozitiv për koronavirusin. Personi thuhet se nuk është sportist, por dikush nga jashtë që ndihmon në organizimin e lojërave.

Universiteti Johns Hopkinstha të shtunën se COVID-19 ka shkaktuar më shumë se 4 milion vdekje në shkallë globale. Më shumë se 189 milion raste janë konfirmuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG