Lidhje

SHBA dhe Gjermania, marrëveshje për qëndrimin ndaj Nord Stream 2


Gjermania është angazhuar si pjesë e një marrëveshjeje me Uashingtonin të ndërmarrë veprime të nivelit kombëtar dhe për të bërë presion, përfshirë sanksione në nivelin evropian, nëse Rusia përdor energjinë si armë në marrëdhëniet me vendet e tjera, tha të mërkurën një zyrtar i lartë Departamentit të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara nuk hynë në detaje lidhur me marrëveshjen për gazsjellësin Nord Stream 2 lidhur me hapat që do të marrë, në mënyrë që të mos "i jepte Rusisë informacione që mund ta ndihmonin atë t’u shmangej këtyre masave", u tha zyrtari gazetarëve, në kushte anonimiteti.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas mirëpriti marrëveshjen e nënshkruar midis vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara mbi gazsjellësn që Uashingtoni e kishte kundërshtuar prej kohësh.

"Jam i lehtësuar që kemi gjetur një zgjidhje konstruktive në lidhje me Nord Stream 2 me Shtetet e Bashkuara," shkroi ai në Twitter.

"Ne do të ndihmojmë Ukrainën të ndërtojë një sektor energjie të gjelbër dhe do të bëjmë përpjekje për të siguruar tranzit gazi përmes Ukrainës në dekadën e ardhshme," shtoi ai.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha se Kievi ka filluar zyrtarisht konsultimet me Bashkimin Evropian dhe Gjermaninë për gazsjellësin Nord Stream 2, që sipas Ukrainës kërcënon sigurinë e vendit dhe shkel parimin e BE-së për diversifikimin e energjisë.

Marrëveshja synon të lehtësojë ato që kritikët i shohin si rreziqet strategjike të gazjellësit me vlerë 11 miliardë dollarë, që tani është 98% i kompletuar dhe po ndërtohet nën Detin Baltik për të transportuar gaz nga rajoni Arktik i Rusisë në Gjermani.

SHBA ka qenë kundër këtij gazsjellësi që e lejon Rusinë të eksportojë gaz direkt në Gjermani dhe të bllokojë vendet e tjera, por administrata e zotit Biden ka zgjedhur të mos përpiqet ta neutralizojë atë plotësisht me sanksione.

Ajo ka negociuar një marrëveshje me Gjermaninë që synon t'i imponojë Rusisë kosto për ta parandaluar atë nga përdorimi i gazsjellësit për të dëmtuar Ukrainën ose vendet e tjera në rajon.

Ukraina dhe anëtarësimi në NATO

Të mërkurën kreu i kompanisë shtetërore të energjisë së Ukrainës “Naftogaz” Yuriy Vitrenko tha se Kievit duhet t’i ofrohet anëtarësimi në NATO për të garantuar siguri ndërsa Rusia po përdor gazsjellësin Nord Stream 2 si një armë gjeopolitike.

Komentet zoti Vitrenko i bëri pak përpara se Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të bënin publike një marrëveshje ku parashikohen pasojat për Rusinë nëse e përdor projektin prej 11 miliardë dollarësh, për të dëmtuar Ukrainën ose vendet e tjera të Evropës Lindore.

Gjatë një telefonate me video ndërsa ndodhet për një vizite në Uashington, zoti Vitrenko tha se Presidenti rus Vladimir Putin "po e përdor tashmë gazin si një armë gjeopolitike kundër Ukrainës dhe të gjithë rajonit".

"Meqenëse shqetësimet tona lidhen mbi të gjitha me sigurinë, anëtarësimi në NATO me siguri do t’i jepte zgjidhje këtij shqetësimi të lidhur me sigurinë", tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG