Lidhje

Hungari, mijëra vetë marshojnë në mbështetje të komunitetit LGBT


Zemërimi në rritje ndaj politikave të qeverisë së krahut të djathtë të Hungarisë mbushi rrugët e kryeqytetit të vendit të shtunën. Me mijëra mbështetës të komunitetit LGBT marshuan në paradën vjetore të Krenarisë në Budapest.

Organizatorët e marshimit thanë se prisnin një pjesmarrje rekord. Ata u bënë thirrje pjesëmarrësve të shprehnin kundërshtimin e tyre ndaj masave më të fundit të qeverisë së Kryeministrit populist Viktor Orban që kritikët thonë se stigmatizojnë pakicat seksuale në vendin e Evropës Qendrore.

Zëdhënësi i paradës Jojo Majercsik tha se marshimi i këtij viti nuk ishte thjesht një ngjarje për të festuar dhe përkujtim i përpjekjeve historike të lëvizjes LGBT, por dhe një protestë kundër politikave aktuale të zotit Orban që vënë nën shenjestër siç tha ai përfaqësuesit e këtij komuniteti.

"Shumë njerëz LGBTQ kanë frikë dhe nuk ndjehen sikur kanë më vend apo të ardhme këtu", tha zoti Majercsik për agjencinë Associated Press.

Marshimi vjen pas miratimit nga parlamenti i Hungarisë në muajin qershor të një ligji që ka nxitur debate i cili ndalon që të miturve t’u prezantohen materiale mbi homoseksualitetin ose ndryshimin e gjinisë. Kjo masë i bashkangjitet një projektligji që lejon ndëshkime më të ashpra për pedofilët.

Qeveria e Hungarisë thotë se me politikat e saj synon të mbrojnë fëmijët. Por kritikët e ligjit të cilët e krahasojnë atë me një ligj rus të vitit 2013, thonë se ai e lidh homoseksualitetin me pedofilinë, si pjesë e një fushate për të mobilizuar votuesit konservatorë përpara zgjedhjeve të pranverës së ardhshme.

Ligji u ndesh me kundërshtimin e ashpër të shumë politikanë në Bashkimin Evropian, anëtare e të cilit është edhe Hungaria. Javën e kaluar krahu ekzekutiv i bllokut prej 27 anëtarësh nisi dy procedura të veçanta ligjore kundër qeverisë hungareze për shkelje të të drejtave të komunitetit LGBT.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG