Lidhje

Hong Kong, dënohet personi i parë bazuar në ligjin kinez për sigurinë kombëtare


Personi i parë që u akuzua sipas të ligjit kinez të sigurisë në Hong Kong u gjet fajtor të martën për terrorizëm dhe nxitje të shkëputjes territoriale, në një proces penal me efekte afatgjata për mënyrën se si legjislacioni do të ndryshojë traditën ligjore në këtë qytet.

Një akuzë tjetër për dhënie të rrezikshme të mjetit me pasoja të rënda fizike nuk u shqyrtua. Gjykata e Lartë do të dëgjojë të enjten argumentat për zvogëlim të dënimit dhe detajet për vuajtjen e dënimit do të shpallen në një datë të mëvonshme.

Ish-kamarieri 24-vjeçar Tong Ying-kit u akuzua se drejtoi motoçikletën e tij përmes tre oficerëve të policisë, ndërsa valëviste një flamur me slloganin e protestave, “Çlirimi i Hong Kongut, revolucioni i kohërave tona”, të cilin prokurorët e konsiderojnë si nxitës të shkëputjes territoriale.

Pjesa dërrmuese e vendimit që mbështetej tek interpretimi i slloganit, imponon kufizime të reja ndaj fjalës së lirë në këtë ish-koloni britanike. Aktivistët pro-demokracisë dhe grupet e të drejtave të njeriut gjithashtu kritikuan vendimin për t’i mohuar zotit Tong gjykimin nga një juri, që ka qenë një veçori thelbësore e funksionimit të shtetit ligjor në Hong Kong.

Gjykimi i tij u bë nga gjykatësit Esther Toh, Anthea Pang dhe Wilson Chan, të përzgjedhur nga drejtuesja e qytetit, Carrie Lam, për të zhvilluar proceset që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare.

Gjykatësja Toh lexoi në sallë një përmbledhje të vendimit, duke thënë se “një shfaqje e fjalëve të tilla kishte kapacitetin të nxiste të tjerët për shkëputje territoriale”.

Ajo shtoi se zoti Tong ishte i vetëdijshëm për kuptimin e sloganit në favor të shkëputjes dhe se ai synonte t'ua komunikonte këtë kuptim të tjerëve. Ai gjithashtu kishte një "axhendë politike" dhe veprimet e tij i shkaktuan "dëm të rëndë shoqërisë".

Zoti Tong ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat, të cilat buronin nga ngjarjet më 1 korrik 2020, menjëherë pas miratimit të ligjit.

Gjyqi i zotit Tong u përqendrua kryesisht në kuptimin e parullës, e cila ishte gjerësisht e pranishme gjatë protestave masive të Hong Kongut në vitin 2019.

Ajo u këndua në rrugë, u postua në internet, u vizatua në mure dhe u shtyp në gjithçka, nga pamflete, libra, afishe dhe bluza, dhe deri tek filxhanët e kafesë.

Debatet u përqëndruan në një sërë temash, përfshirë historinë e lashtë kineze, lëvizjen amerikane për të drejtat civile dhe Malcolm X-in, për të konstatuar nëse sllogani nxiste shkëputjen territoriale.

Dy dëshmitarë ekspertë të thirrur nga mbrojtja për të analizuar kuptimin e parullës, duke u mbështetur në burime, përfshirë një ekzaminim të rreth 25 milionë postimeve në internet, nuk gjetën "asnjë lidhje thelbësore" mes parullës dhe pavarësisë së Hong Kongut.

Qeveritë në Pekin dhe Hong Kong kanë thënë në mënyrë të përsëritur se ligji i sigurisë ishte i nevojshëm për të sjellë stabilitet pas protestave shpesh të dhunshme të vitit 2019 dhe se të drejtat dhe liritë e premtuara qytetit pas kthimit të tij nën regjimin kinez në vitin 1997 mbeten të paprekura.

Ligji, i vendosur nga Pekini në qershor 2020, ndëshkon atë çfarë Kina e sheh si përmbysje, shkëputje, terrorizëm dhe bashkëpunim me forcat e huaja.

Qeveria ka thënë se të gjitha ndjekjet penale janë trajtuar në mënyrë të pavarur dhe sipas ligjit, dhe se veprimtaria e shtetit ligjor nuk ka asnjë lidhje me qëndrimin politik, prejardhjen ose profesionin e të arrestuarve.

XS
SM
MD
LG